Haradinaj: Masa ndaj Serbisë është vendim sovran, prodhuesit të mos i ngrenë çmimet

“Sot, mund të themi se Kosova ka më shumë vetëbesim në prodhim dhe produktet e Kosovës janë të çmuara dhe ju e keni fituar respektin e të gjithëve”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, në Konventën e Parë të Prodhuesve të Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është fuqizimi i sektorit të prodhimit dhe promovimi i produkteve “Made in Kosova”, duke potencuar po ashtu se Qeveria që në fillim ka nisur me disa detyra konkrete, siç është rasti me taksat që kanë penguar prodhuesit në të kaluarën, siç ishte rasti me prodhuesit e ujit

Loading...

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar prodhuesit në etapa të ndryshme, tha se prodhimi është sfidë dhe po ashtu edhe prodhuesit kanë qenë të sfiduar që nga nisja e tyre.

Kryeministri Haradinaj, më tutje veçoi iniciativën e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, ku komunave u janë dhënë hapësira për të krijuar zona ekonomike, siç është Parku Inovativ Trajnues në Prizren dhe Zona Ekonomike Amerikane në Gjakovë, të cilat janë mundësi reale, që prodhuesit të shohin perspektivën e tyre, qoftë vetë, qoftë në partneritet me investitorë nga vende të tjera.

Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë e komentoi edhe masën 100 për qind ndaj Serbisë duke thënë se veprimi i taksës për prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk është bërë vetëm për qejf të prodhuesve vendorë, por edhe të konsumatorit dhe çdonjërit që jeton në Kosovë, për faktin se prodhimet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të depërtojnë në Serbi dhe Bosnjë.

Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij tha gjithashtu se shumë operatorë të Serbisë operojnë në Kosovë si një treg i hapur, ndërsa asnjë nga Kosova nuk ka mundur të operojë atje dhe pikërisht për këtë, siç theksoi ai, sfida në një mënyrë nuk është e keqe, duke thënë  se ai që ka arritur sot shumë, ka pasur të kaluar jo të lehtë.

“Qasja jonë, e politikës përshtatëse, është kthyer në një materie fluide për të rrëshqitur më suksesshëm interesat e palëve, por nuk ka mbet vetë palë Kosova. Neve na kanë hequr nga tavolina”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se taksa e vendosur duhet të shërbejë si porosi për të gjithë se tashmë jemi të vetëdijshëm dhe se ky vendim është sovran.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, shtoi se vendimi i marrë për vendosjen e taksës do të jetë gjatë, deri atëherë kur do të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia dhe se askush nuk duhet të kalkulojë ndryshe.

“Tani është koha reale që t’u jepet përparësi produkteve vendore”, tha kryeministri Haradinaj, dhe porositi prodhuesit që të mos i ngritin çmimet, sepse para vetes kanë një periudhë të artë, duke paguar sa më shumë tatim që të rritet edhe buxheti i vendit.

Pjesëmarrës në këtë konventë ishin mbi 300 kompani prodhuese nga Kosova dhe mbi 70 nga Shqipëria e Maqedonia ku edhe u bë lansimi i platformës digjitale “Made in Kosova” si dhe u  prezantua KOCME-Qendra Kosovare për Përsosmëri të Prodhimit.

Të pranishëm në Konventën e Parë të Prodhuesve të Kosovës ishin edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ai i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, përfaqësues tjerë të institucioneve të vendit, prodhues dhe përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të bizneseve kosovare, donatorë të ndryshëm dhe përfaqësuese të ambasadave.