Haradinaj: Kosova ka potencial për investime të huaja në vend 

“Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të qenë partner i ri ekonomik në tregun botëror dhe institucionet e vendit janë të përkushtuara në zbatimin e këtyre politikave në të mirë të ekonomisë së vendit”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti sot në takim anëtarin e Bordit të Forumit të Sigurisë në Halifax dhe Drejtor Ekzekutiv i Çalik Holding, Ahmet Taçyildiz.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, e informoi z. Taçyildiz për proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë, për progresin e po ashtu edhe angazhimin e Qeverisë në fushën e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.

“Kam kënaqësinë që sot t’ju pres këtu në Qeveri dhe po ashtu t’ju njoftoj se Kosova edhe pse si një shtet i ri, ka kontribuar shumë që të jetë një faktor i paqes në Ballkan dhe Evropë, dhe nuk ka dyshim se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo është edhe një garancë karshi investimeve të huaja dhe orientimit tonë për zhvillim ekonomik të vendit”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka ndarë me mysafirin të gjitha të arriturat e vendit sa i përket përmbylljes së infrastrukturës ligjore sa i përket të bërit biznes.

“Me ligjin e ri për investime strategjike, ne kemi ndërmarrë veprime të nevojshme sa i përket garantimit dhe stimulimit të investitorëve të huaj. Aktualisht po presim që të avancojmë me interesimin që kanë bërë 11 kompani me kapital prej 1.8 miliardë eurosh investime dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë shërbimet dhe lehtësirat institucionale edhe për investitorë të tjerë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim u përmend edhe potenciali që ka Kosova për tërheqjen e investimeve të huaja, veçmas në fushën e energjisë dhe minierave.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj  e përgëzoi z. Taçyildiz për punën që e bën Forumi Ndërkombëtar për Siguri në Halifax, forum ky i cili jep mundësi që vendimmarrësit të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për çështje të vështira, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë globale.

Nga ana e tij, Ahmet Taçyildiz, e falënderoi kryeministri Haradinaj për pritjen e sotme dhe e përgëzoi për angazhimin e Qeverisë që t’i çojë tutje, me shumë përkushtim, proceset e vendit, përfshirë edhe ato që lidhen me sigurinë si dhe gatishmërinë për të mbështetur investitorët e huaj.