Haradinaj flet për vrasjen e Shkëlzenit: Luftuan edhe me thika

 

Kryeministri i Kosovës, njëherësh ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për vrasjen e vëllait të tij, Shkelzen Haradinaj.

Ai ka treguar se në kohën e bombardimit të NATO’s Serbia kishte intensifikuar luftën në Kosovë.

“Te ne është intensifiku lufta në kohën e bombardimeve të NATO’s. E patën ashpërsuar luftën kundër nesh dhe kryesisht në Zonën e Dukagjinit”, tha Haradinaj në emisionin ‘Pressing’ me Leonard Kerqukin në T7.

“Kemi humb shumë njerëz në pranverën e 99’ës. I çelshim varret natën fshehtas që serbët mos me e ditë sepse i hapshin varret me e pa kush u vra’, shpjegoi ai.

“Gjatë periudhës që po flasim kam qenë vetëm 62 kg”, tregoi ai për vështirësitë e luftës.

Ai ka treguar se si Shkelzen Haradinaj ishte nisur për betejë dhe se si pas tij kishte shkuar edhe Daut Haradinaj dhe ai vetë.

“Dauti ka mbërri i pari në vendngjarje te SHkelzeni. Unë kam mbërri i treti”, tregoi Haradinaj.

“Shkelzeni e ka pasë një plumb në fytyrë dhe një copë të nofullës të hjekne. U shihke që lufta u zhvillu edhe me thika. Trupat e serbëve ishin aty’, tha Haradinaj.

‘E ka pasë një antiplumb dhe plumba anash. Nuk e dijmë sakt sepse e kemi varros me antiplumb. Ka qenë mesi i ditës dhe ne e kemi gjetur pa shenja jete”, tha ai.

“I kemi marrë trupat. Atë ditë nuk kishim varre të hapura”, tregoi ai tutje.

Tregon se si e kish varros Shkelzenin dhe dy të tjerë me një varr duke i mbuluar me dushk.

‘Serbët nuk i kanë gjet”, tha kryeministri.