Në kuadër të manifestimit qendror “Epopeja e Dukagjinit”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga presidenti Hashim Thaçi dhe Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar Adem Jashari, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan dhe mori pjesë në tubimin Përkujtimor, në kujtim të Betejës së Gllogjanit dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, organizuar nën patronatin e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Në këtë manifestim, që shënon 21 vjetorin e Betejës së Gllogjanit dhe 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës, përfaqësues nga trevat shqiptare, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, kryeministri Haradinaj fillimisht ka falënderuar të gjithë të pranishmit për prezencën tyre, dukë thënë se ndihet jashtëzakonisht i nderuar që sot po nderojnë Epopenë e Dukagjinit dhe Betejën e Gllogjanit, në të njëjtën kohë ka falënderuar edhe presidentin Thaçi që dekoroi luftëtarët e Gllogjanit, duke vlerësuar se ishte nder për Gllogjanin që luftëtarët e kësaj treve, po nderohen nga shteti i vet.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se si fëmijë është rritur me plotë të thëna dhe histori të luftëtarëve shqiptarë dhe për historinë e luftëtarëve të Dukagjinit.

“Historia e Dukagjinit është jashtëzakonisht e vlefshme dhe e pasur. Dukagjini ka lënë nam në luftëra para pushtuesve në të gjitha kohërat e veta, para dhe pas Lekë Dukagjinit, por një ngjarje që ka bërë kthesë në historinë e shqiptarëve është pikërisht koha kur Lekë Dukagjini bashkoi shqiptarët për tu përballur me pushtuesit”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se shqiptarët asnjëherë nuk u ndalën së luftuari për të drejtën e vet, por e vetmja herë që u bashkuan ashtu siç i bashkoi Leka qindra vjet përpara ishte bashkimi në UÇK.

“Në UÇK u bashkuam të gjithë, ngado që vinim, kushdo që ishim, u bëmë bashkë u bëmë një në luftën tonë për liri. U bashkuam në mes vete dhe qëndruam bashkë, qëndruam në rrethim të hekurt, qëndruam në përballje të vështira, qëndruam në dhimbje të mëdha dhe i përballuam ato dhimbje, ditë me ditë, nga ‘98 deri më ‘99, kur ndodhi ajo që të gjithë jemi krenarë, pra NATO e prirë nga Amerika që i dha hakun armikut tonë, pra filloi sulmet ajrore mbi caqet e ushtrisë dhe të policisë serbe”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi në vitin ‘99 na u dha e drejta jonë,  u pranua e drejta jonë

Duke folur rreth ndërhyrjes së NATO-s, kryeministri Haradinaj tha se NATO e prirë prej Amerikës na u gjend në ditët më të vështira të jetës të popullit tonë, kur i madh e i vogël ishim të rrezikuar.

“Kjo ishte një ngjarje që vërtetë ka bërë kthesë, u shpëtuan jetë njerëzish, kjo ngjarje është humane, është njerëzore, është e ardhur nga zoti dhe me të drejtë populli ynë shikonte kah qielli kur ndodhnin sulmet dhe i kam dëgjuar duke thënë se paska zot edhe për ne. Ne i jemi mirënjohës për jetë NATO-së dhe Amerikës”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se më 24 mars në Gllogjan ju vazhdua pushka, ju vazhdua nami, ju vazhdua e drejta Komandantit tonë Legjendar, Adem Jashari e familjes së tij dhe gjithë luftëtarëve shqiptarë të të gjitha kohërave.

Duke kujtuar thënien e Vaso Pashës ‘Nëpër luftëra të rrepta gjithmonë kemi ra por me faqe të bardhë gjithmonë jemi nda’, kryeministri Haradinaj tha se dita e sotme 24 marsi 98-tës i përshtatet kësaj thënie, duke kujtuar edhe rënien e tre luftëtarëve në këtë ditë, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se luftëtari shqiptar i të gjitha kohërave asnjëherë nuk është ndal dhe kanë luftuar me kode të nderit dhe asnjëherë nuk e kanë shkelur këtë kod duke i ruajtur më mijëra vjet dhe nuk ka gjykatë që i gjen gabim kodet e shqiptarit, të cilat janë kode të nderit, kode të respektit, janë kode të atij që din ta ruaj tjetrin dhe ne në Kosovë kem ditë dhe do të dimë t’i ruajmë të gjitha etnitë që jetojnë me ne e me i respektu vlerat e tyre.

“Ne duke ndërtuar Kosovën nderojmë kombin tonë, shqiptarin kudo që është, jo vetëm shqiptarët sot që jetojnë në trojet e veta etnike, në Ballkan e diasporë, por nderojmë të gjithë ata breza që janë flijuar që të jemi në këtë ditë”, tha kryeministri Haradinaj i cili ka nderuar me mirënjohjen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” tri shoqatat e dala nga OVL e UCK  dhe brigadat e Zonës së Dukagjinit.

Ndërsa, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci në fjalën e tij tha se kjo është një ditë historike për Kosovën dhe kombin shqiptar, në këtë ditë që pas fillimit të fuqizimit të rezistencës se UCK në krye me komandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari me bashkëluftëtarë të tjerë ndodhi ajo që pritej të ndodhte edhe në Gllogjan. Ndodhi ajo që pritej të ndodhte sepse bërthamat e para të UCK tanimë ishin fuqizuar, ishin zgjeruar dhe sulmet ishin të pandërprera kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë.

Presidenti Thaçi me këtë rast ka ndarë dekorimet “Heroi i Kosovës” për 12 bashkëluftëtarë të Gllogjanit me rrethinë.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe Rifat Jashari, vëllai u komandantit Legjendar, Adem Jashari.