Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë me shqetësim informatën për ndalimin e Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Merdarë, duke e quajtur këtë si  një veprim të papranueshëm dhe të dënueshëm.

Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

“Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tone”, vlerëson kryeministri Haradinaj, duke e bërë të qartë se Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm.

Kryeministri Haradinaj ka apeluar tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojnë për t’i bërë presion Beogradit që të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta.