“Jemi bashkuar sot plot familje të dëshmorëve e heronjve të kombit, bashkëluftarë të gjallë, në këtë ditë të dhimbjes tonë, por edhe e porosisë, porosisë së gjallë, se për të drejtën tonë, për atdheun, shqiptarët çdo herë do të jenë bashkë, do të flijohen bashkë dhe qëndrojnë bashkë”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore, me rastin e 21-vjetorit të rënies së Heronjve të Kosovës, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, e cila u mbajt nën patronatin e Kryeministrit.

Para familjarëve të dëshmorëve, heronjve, bashkëluftërave të gjallë të tyre, gjeneralë, zyrtarë shtetërorë, kryeministri Haradinaj theksoi se sot kujtojnë një ditë më ndryshe dhe është më ndryshe për shumë arsye, pasi Ilir Konushevci, siç tha ai, ishte ndër luftëtarët shumë të ri, duke qëlluar në atë rrethin e parë të ngushtë me heronjtë e kombit, Zahirin, e të tjerët.

“Pra ishe ndër të parët, në veprimet e para, njësitë e para me themeluesit e UÇK-së. Kjo është një vlerë që duhet ta veçojmë, pasi bëhet fjalë për brezin e parë të luftëtarëve të UÇK-së dhe atyre që i vendosën themelet e luftës për liri. Kjo është një dëshmi e vërtetë. Ai po ashtu ishte ndër të parët që bashkëveproi me të gjitha njësitë e para të UÇK-së në zonat tjera duke vendosur lidhje komunikimi e bashkëveprimi, jo vetëm funksional, por edhe luftarak e veprues”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se rritja e UÇK-së dhe përballja në luftë, ishte një kapërcim i madh shumë i vështirë, sepse përpos që nevojiteshin njerëz të vendosur për luftë, nevojitej edhe teknikë luftarake pa të cilën ishte e pamnudshme ballafaqimi me pushtuesin.

Kujtim e asaj periudhe, kryeministri Haradinaj e përshkroi si një moment kur të gjithë ata ishin të fokusuar në ndërtimin e luftëtarit që nënkuptonte kompletimin luftarak, qëndrimin me dinjitet përballë armikut.

“Ata e donin veç një pushk dhe Iliri e mori pjesën më të vështirë duke lënë zonën e bashkëluftarëve të vetë që të siguronte teknikë luftarake për zonat më afër përballjes frontale, siç ishte edhe zona e Dukagjinit”, tha kryeministri Haradinaj, duke sqaruar edhe  lidhjen me Hazir Malajn dhe rolin e tij po ashtu të rëndësishëm në atë kohë lufte.

Kryeministri Haradinja tha se atë kohë kishin nevojë për njerëz të besueshëm për bartjen e teknikës ushtarake, duke thënë se ishin pikërisht ato familje, si familja e Hazir Malajt, që shprehën devtoshmërinë sublime për lirinë e vëllezërve dhe motrave kosovare.

“Falë Ilir Konushevcit ka ndodhur pranvera më e fuqishme e luftës shqiptare ndonjëherë, duke hyrë mijëra e mijëra armë në Kosovë”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke thënë se rënia e Ilir Konushevcit nuk është një befasi, pasi një mison të tillë, armiku nuk ka mund ta përballojë ndryshe.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, shtoi se nuk ka dilemë që çdo brez i patriotëve e i luftëtarëve shqiptarë, dijetarëve e atdhetarëve, i ka heronjtë e vetë dhe se brezi i UÇK-së i ka pasur të rrallë heronjtë si Ilirin e Hazirin.

Në këtë ceremoni nga një fjalë mbajtën Gjeneral Kudusi Lame, ish-Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ndërsa në emër të bashkëluftarëve foli Lahi Brahimaj, i cili evokoi kujtime nga lufta e UÇK-së.

Përmes një kumtese tematike, prof. Skender Zhitia, shpalosi punën, veprimtarinë dhe rëndësinë e Heroit të Kosovës, Gjeneral Major Ilir Konushevci për organizimin e luftës së UÇK-së dhe për kontributin e Dr.Hazir Malaj, ndërsa në emër të familjeve të Heronjve, të pranishmit i përshëndeti, Arton Konushevci, vellai i heroit, Ilir Konushevci.

Kryeministri Haradinaj gjatë ditës së sotme ka pritur në takim familjarët e Heronjve të Kosovës, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj. Po ashtu, pas akademisë, bashkë me familjarët ka bërë edhe homazhe te varret e tyre në  kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Kombit në Velani të Prishtinës.