Haradinaj: Austria mike e madhe e Kosovës dhe mbështetëse e fuqishme

“Austria është vend mik, e cila i ka dhënë Kosovës mbështetje të vazhdueshme në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendit”, tha kryeministri Haradinaj në paraqitjen mediale, pasi priti në takim kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve politike në Kosovë dhe rajon.

Loading...

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kancelarin Kurz për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik, agjendën e reformave evropiane, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe për finalizimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do t’i kontribuonte stabilitetit ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj nga kancelari Kurz ka kërkuar ndihmën e shtetit austriak për çështjen e liberalizimi të vizave dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Me këtë rast, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se me kancelarin Kurz ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë dhe për perspektivën regjionale, evropiane të Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Haradinaj po ashtu ka falënderuar për përkrahjen që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Nga ana e tij, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për mikpritjen dhe për miqësinë në mes të dyja shteteve, tha se sot vizita në Kosovë është ndjenjë e mirë.

“Siç e dini ne e kemi kryesimin e Bashkimit Evropian dhe njëra nga synimet tona kryesore është që të mbështesim rajonin dhe vendet e Ballkanit  dhe të mbështesim perspektiven tuaj evropiane dhe për këtë arsye unë kërkoj nga populli i Kosovës që të mbështesë dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sepse mendoj se rezultati i suksesshëm i këtij dialogu është baza e perspektives tuaj evropiane dhe po ashtu një mundësi që të jetojmë së bashku në paqe dhe stabilitet, këtu në rajon”, theksoi kancelari austriak Kurz.

Kancelari Kurz tha se Austria është mbështetëse e fuqishme e rajonit e po ashtu edhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës dhe për këtë tha se janë shumë të lumtur të jetë njëri nga shtetet më kontribuese në Kosovë, si dhe njëri nga investuesit më të mëdhenj.