Sot, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi me udhëheqësin e Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit, Halil Kastratin, për ndërtimin edhe të pesë shtëpive për familjet me kushte të rënda ekonomike dhe sociale dhe të cilat kanë kushte minimale banimi.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, do ta zbatojnë projektin e ndërtimit të shtëpive, sipas programit çelësat në dorë, ndërsa mjetet do të jenë në bashkëfinancim me komunën, ku Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, marrin përsipër që të marrin pjesë me mjete në shumën prej 75 % ndërsa Komuna e Malishevës, me shumën prej 25 %.

Ndërtimi i shtëpive, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, do të bëhet brenda vitit 2019.

Kjo marrëveshje është bërë në kuadër të bashkëpunimit të mirë, në mes të Komunës së Malishevës dhe shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanik” dhe është vazhdim i ndërtimit të përbashkët të shtëpive për familjet në nevojë, në Komunën e Malishevës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar Halil Kastratin dhe shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për angazhimin e tyre, në ofrimin e ndihmës për rastet në nevojë, në Komunën e Malishevës.