Grupi i LDK-së kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit

Grupi i LDK-së në Komunën e Prishtinës, kërkon që kryetari i Prishtinës t’i kthehet shqyrtimit të pozitës së tij prej kryetari dhe të japë dorëheqje.
“Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se konfirmimet e ligjshmërisë për vendimet e Kuvendit të kryeqytetit, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, konfirmuan legjitimitetin e plotë të Kuvendit të Prishtinës dhe të shumicës demokratike dhe parlamentare të tij.
Këto konfirmime për shqyrtimin e ligjshmërisë u bënë pas kërkesës së kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti. Kryetari i Komunës, për të plotësuar kërkesën e tij dhe atë partiake të VV, deshi t’i shohë edhe njëherë numrat në Kuvendin e Prishtinës.
Kërkesa e tij politike dhe propaganduese mbi funksionimin e kuvendit dhe zgjedhjet e reja për Kuvend, mbeti vetëm një kërkesë që duhet t’i bëhet tanimë atij vetë, vazhdon kumtesa.
Dyshimet për veprimet dhe funksionalitetin e Kuvendit të kryeqytetit janë realisht dyshime në vetë punën e Kryetarit të Komunës, në sjelljen e tij ndaj Kuvendit dhe në pamundësinë që të bëjë politika të favorshme ndaj qytetarëve të Prishtinës. Ai, tash e 14 muaj qeverisje, mbyti shpresat për zhvillim dhe avancim të kryeqytetit. Shkeli ligje dhe mori vendime që nuk i realizoi.
Nuk i zbatoi vendimet e shtetit, që do të jenë shkelje penale.
Grupi i LDK-së kërkon që Kryetari i Prishtinës t’i kthehet shqyrtimit të pozitës së tij prej kryetari dhe të japë dorëheqje. Dorëheqja është akt moral dhe i shërben demokracisë.
Vetëm dorëheqja e tij do t’ia kthente shpresat kryeqytetit”, thuhet në njoftim.