Gjermania ndalon hyrjen për 18 personat e përfshirë në vrasjen e Khashoggit

Gjermania ka imponuar një ndalim udhëtimi për 18 shtetas sauditë për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christofer Burger, në një konferencë për media tha se “këta individë janë anëtarë të një ekipi prej 15 burrash dhe tre të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në këtë plan”.

Burger tha se vendimi u mor në koordinim të ngushtë me dy parnterë tjerë të Bashkimit Evropian (BE), Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

I pyetur nëse Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, ishte mes grupit të parë që u sanksionuan, Burger refuzoi të komentojë për këtë çështje.

Khashoggi, një gazetar saudit që punonte për “The Washington Post”, u vra me ngulfatje më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Arabia Saudite ka ndryshuar shpjegimet për zhdukjen e Khashoggit para se të sugjeronte se ai ishte vrarë gjatë një operacioni të interpretuar gabimisht nga agjentë mashtrues.

Deri më tani, në lidhje me vrasjen 21 persona, përfshirë zyrtarë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite.