Korrespodentja në Bruksel e Televizionit Publik të Kosovës, Gjeraqina Tuhina, ka folur rreth zhvillimeve në shtëpinë e madhe të Bashkimit Europian si dhe për përspektivën e dialogut Kosovë-Serbi.

Tuhina në Info Magazine ka thënë se tema rreth zgjerimit në Ballkan nuk është temë popullore ndaj dhe është lënë anash, njofton Klan Kosova.

”Ironikisht jemi në fund të mandatit të Federica Mogherini dhe asnjë gjë në lidhje me Ballkanin nuk kanë ndodhur për shkak se shtetet anëtare disa më të zëshme kanë bllokuar secilin hap në këtë drejtim për shkak të zgjedhjeve”.

”Është relative faza e fundit e dialogut. Duke pasur parasysh që pas gjashtë muajsh s’ka pasur asnjë takim mes dy palëve pas vendimit të taksës”.

”Për dy vitet e fundit Mogherini ka folur për fazën përfundimtare por po del që ky është një çosh sokak”.

”Nuk kisha thënë se është fundi, është një fillim i ri në këtë dialog i cili do të jetë në një qasje tjetër dhe do të marrë qasje tjetër”.

”Angela Merkel e ka bindur kryetarin e Francës Emmanuel Macron që të jetë pjesë e qëndrimeve të saj. Ai ka treguar pak ose aspak interesim për zgjerimin”.

”Çështja e shkëmbimit të territoreve përfundimisht është varrosur, sepse marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë duhet të ketë disa pika”.

”Një marrëveshje e cila nënkupton shkëmbimin e territoreve nuk ka mbështetjen e Gjermanisë, dhe kjo nëse aprovohet çon Kosovën në askund”.

”Mogherini është në përfundim të mandatit të saj dhe ajo ka nevojë për trashëgimi politike. Federica Mogherinit i kanë mbetur kalendarët e jo substanca”.

”Asnjëherë nuk ka qenë e qartë në prononcimet e saj. Shumë vende anëtare kanë pasur mendim që në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë e përkrahë çështjen e korrigjimit të kufijve”.

Gazetarja Gjeraqina Tuhina tha po ashtu se takimi i Berlinit asnjëherë nuk kishte paraparë takim mes presidentit Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq.

”Për një marrëveshje ‘Rose Garden’ ishin të gatshëm që të gjithë të përshpejtojnë këtë proces. Si do të çohet tutje procesi, nuk ma merr mendje që do të zhvillohet gjeografikisht, por do të konfirmohen vijat e kuqe ku nuk guxon të flitet”.

”Asnjëherë takimi i Berlinit nuk ka paraparë takim kokë më kokë mes Vuciq e Thacit për zhvillim të dialogut. Takimi i Parisit në aspekt të përgatitjes do të jetë shumë më serioz sesa i Berlinit”.