Gjendet pa shenja jete gazetarja bullgare

Victoria Marinova, prezantuesja televizive 30-vjeçare dhe drejtoresha administrative e kanalit televiziv rajonal TVN, u gjet pa shenja jete të shtunën pranë bregut të lumit Danub në qytetin Ruse të Bullgarisë, tha policia të dielën. Viktima thuhet se është përdhunuar, rrahur dhe pastaj është mbytur.

Ajo u gjet nga një kalimtar të shtunën pasdite dhe trupi i saj u identifikua nga familja e saj në mbrëmje, njoftojnë autoritetet bullgare.

Loading...

Është e paqartë nëse akti ka të bëjë me punën profesionale të Marinovës. Kreu i zyrës së prokurorisë së qytetit Ruse, Georgi Georgiev dhe zëvendësdrejtori i policisë vendase, Ilian Ençev, në një konferencë shtypi të dielën thanë se “të gjitha versionet” rreth aktit ishin në tryezë.

Shumica e sendeve të saj personale mungonin kur ajo u gjet në bar në një pjesë më pak të frekuentuar të shëtitores në Ruse, thanë autoritetet, të cituara nga gazeta 24 orëshe. Nuk ka të dyshuar ende.

“Ne po punojmë për rastin ditën dhe natën … shpresojmë së shpejti që të kemi më shumë informacione mbi identitetin e kryerësit të veprës”, citohet të ketë thënë Georgiev.

Faqja bullgare e internetit “Terminali 3” vuri në dukje raportin e fundit të transmetuar, ku Marinova intervistoi gazetarin investigativ rumun, Atila Biro nga projekti Rise dhe kolegun bullgar, Dimitar Stojanov nga Bivol.

Tema ishte arrestimi i fundit i dy gazetarëve nga policia pranë qytetit Radomir, në jug të Sofjes, ndërsa po hetonin shkatërrimin e dokumenteve që gjoja implikuan konsulentët lidhur me kompaninë e infrastrukturës GP Group për manipulimin e tenderëve të BE-së.
Akti është dënuar nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, i cili bëri thirrje për një “invetigim të plotë”.

Federata Evropiane e Gazetarëve shkroi në Twitter se artikulli i fundit i Marinovës trajtoi korrupsionin shtetëror.

Marinova është gazetarja e tretë që u eliminua në BE në më pak se një vit, pas Daphne Caruana Galizia nga Malta dhe Jan Kuciak nga Sllovakia. Një vigjilje në nderim të Marinovës do të organizohet në kryeqytetin e Sofjes, të hënën në mbrëmje./kallxo.com