Njësia Speciale kundër ‘të Fortëve’ është gati të veprojë. Ajo do të operojë si një njësi speciale elitë e Policisë së Shtetit kundër personave problematikë të cilët i janë shmangur drejtësisë dhe që nuk janë kapur.

Në pamjet e publikuara nga stërvitja e tyre duket që efektivët janë të specializuar në operacione të shpejta dhe efektive. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se kjo njësi kërkon të përcjellë mesazhin se askush nuk mund ti shpëtojë drejtësisë. Ai shtoi gjithashtu se ata do të angazhohen “për të kërkuar jo vetëm persona që i janë shmangur drejtësisë në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera”.

Njësia kundër “të Fortëve” u paralajmërua disa kohë më parë nga Kryeministri Rama në një deklaratë ku ai u shpreh se të gjithë ata që kanë qenë në kundravajtje me ligjin “të gjejnë vrimë ku të futen”. /Opinion.al