Skuadra e Feronikelit ka fituar ndeshjen e parë të raundit preliminar të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve ndaj Lincoln Red Imps me rezultatin minimal 1-0.

Sulmuesi i Feronikelit, Mendurim Hoti shënoi golin e vetëm në këtë sfidë në minutën e tretë, shkruan GazetaBlic.

Kampioni i Kosovës, Feronikeli tani do të luajë në finale të raundit preliminar të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve ndaj ekipit të Andorrës, Santa Colomas.

Nikli do të luajë këtë takim të premten me fillim nga ora 20:45 dhe në rast të fitores do të ballafaqohet me ekipin, TNS.

Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj ka zbuluar se lojtarët e ekipit të tij kanë premi për ndeshjet ndërkombëtare.

“Lojtarët e ekipit do të kenë premi për këto ballafaqime. Premitë do të jenë të ndryshme varësisht prej vlerës së ndeshjes. Për çdo ballafaqim, lojtarëve ju takon 25% e vlerës që dhuron UEFA”, ka zbuluar presidenti i Niklit, Naser Ramaj për ‘GazetaBlic’.

Në rast se skuadra e Feronikelit fiton edhe ndeshjen finale ndaj Santa Colomas dhe kualifikohet në rrethin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, atëherë UEFA do t’i dhurojë rreth 230 mijë euro klubit kosovar.

Kjo nënkupton se rreth 57 mijë e 500 euro do t’i ndahen lojtarëve të Feronikelit, andaj kjo shumë do t’i pjesëtohet për futbollistët e grumbulluar nga trajneri i ekipit, Zekrija Ramadani – apo edhe bonuseve siç kanë lojtarët në kontratat e tyre.

No tags for this post.