Fshati që u përgatit për luftë në ditën e Pavarësisë

Rrobat, ushqimin e gjësendet tjera të nevojshme i kishin bërë gati javë me parë.

Loading...

Secili kishte ngarkuar aq sa mund të barte me vete. Po prisnin vetëm të shpallej pavarësia, që të niseshin për rrugë.

Dhjetë vite më parë, banorët e fshatit Metehi të Komunës së Podujevës, 20 minuta larg kufirit me Serbinë, ishin përgatitur të iknin nga Kosova.

17 shkurtin e 2008-ës më shumë e mendonin si datë kur do fillonte lufta, sesa si ditën kur Kosova do të shpallej Kosova shtet i pavarur dhe sovran.

As vet nuk e dinin se ku do të shkonin. Por, po të qëndronin aty frikoheshin se ishin shumë afër armikut.

Njëherë e kishin përjetuar, nuk donin ta përjetonin luftën për herë të dytë. Ndërsa asgjë nuk i kishin lënë rastësisë.

“Unë i pata ba teshat gati kogja moti. Dy javë para të 17-it, unë i kam pas me tesha me ushqim për shpi tem gati. Kishim veq me u nis”, tregon A.A, banore e këtij fshati për Infokusin.

Afërsia me kufirin Kosovë-Serbi thotë se ia kishte shtuar frikën. Për një kohë të gjatë e kishin diskutuar si ti shpëtonin së paku pesë fëmijët.

Ajo dhe familja e sajë ishin përgatitur në heshtje për ditën e madhe kur do ta lëshonin fshatin.

“Na jemi këtu shumë afër kufirit. Edhe nëse kish fillu lufta, neve të parëve u kan rreziku me na rrok. Pa ba za i pata ba krejt gati”, vazhdon rrëfimin ajo.

Rruga më e afërt e shpëtimit, për ta ishte mali mbi shtëpi. Por, nëse do të niseshin në atë drejtim, vetëm se do t’i afroheshin armikut.

“Drejt me kallzu, as nuk dijshëm ka me shku e as qka me ba. Veq qety e dijshëm që smundemi me nejt. U tutsha për fmit, mos po i’u ndodh diqka, e nëse bahet lufta mos po mi ndajnë prej meje”.

Frikën e njëjtë e kishte pasur edhe një banore tjetër nga i njëjti fshat.

Edhe ajo atë ditë priste që do të fillonte lufta.

Pasi kishte bërë gati valigjet që do të merrte me vete nëse do të largoheshin nga aty, ajo i kishte groposur disa rroba e bashkë me to edhe çeizin e nusërisë.

Në luftën e parë i ishin djegur shumica nga to, e këtë herë shpresonte se do t’i shpëtonte.

“Çeizin e do tesha i pata pshtjell mirë e i patëm shti në dhe. Tjerat gjana i pata ba gati për me i marrë me veti”.

Dikush kishte hall edhe më të madh. E.E ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe nuk e dinte se çfarë do të bënte nëse do të fillonte lufta.

Tmerrohej vetëm kur e mendonte se fëmija mund të vinte në jetë në atë kohë.

“Unë jam pat kanë shtatzanë në muaj të nëntë. Në fillim të muajit të nëntë. S’mujsha as me paramendu prej tute që mundem me lind në luftë. S’pata mujt as me flejt tu mendu për qëta”, rrëfen ajo për Infokusin.

Edhe tani që djali i sajë ka mbushur gati dhjetë vjet e kujton me ndjenja të përziera gëzimi dhe frike atë ditë.

Mëngjesi i 17 shkurtit të 2008-ës, i kishte gjetur thuajse zgjuar të gjithë banorët e këtij fshati, që po prisnin në ankth se çfarë do të ndodhë gjatë orëve në vazhdim.

Fatmirësisht, nuk u kishte ndodhur asgjë, ndërsa frika iu kishte shndërruar në lot gëzimi.

“Gëzimin që e kam pas at ditë, smundem as me përshkru. Kam qajt, ama prej gëzimit”, tregon njëra nga to.

“Atë ditë s’mundem me harru kurrë bashkë me emocionet që i kom pas. Sidomos, kur e dijsha që tash fëmija jem ka me lind në një vend të pavarur e s’ka me përjetu luftën”, përfundon E.E rrëfimin e saj.