Flet Mergim Lushtaku, për përleshjen që ndodhi në Klinë të Epërme të Skenderajt

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku për Gazetën Blic e ka mohuar një përleshje fizike mes anëtarëve të kësaj partie në një degë të Skenderajt, shkruan Gazeta Blic.

Ai tha se nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje dhe se aty, tha ai, ka pasur vetëm tentime për një përleshje.

Nuk kam qenë i pranishëm në atë mbledhje sepse kam qenë në një mbledhje tjetër. Sipas informatave që unë i posedoj nuk ka pasur përleshje fizike, ka pasur vetëm tentime për një gjë të tillë”, tha ai.

Sipas djalit të ish- kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, një gjë e tillë e pakënaqësive është edhe e kuptueshme kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës.

Nuk dëshiroj që të lëshohem me emra, mirëpo them që në njëfarë forme është e kuptueshme për ndonjë pakënaqësi në një degë të caktuar, kur dihet që në shumicën e tubimeve që po i mbajmë po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës. Kështu që në një numër kaq të madh të njerëzve mund të ketë ndonjë paknaqësi. Unë jam i bindur që në fund procesi zgjedhor brenda PDK-së, e gjithashtu edhe ne degën e Skenderajt, do të përmbyllet suksesshëm. Sepse demokracia këto gjëra i ka. Ai që merr vota më shumë brenda një procesi të caktuar, ai është fituesi. Këtë duhet ta pranojmë të gjithë. E përsëris që besoj se përfundimi i zgjedhjeve brenda PDK-së, e veçmas brenda degës në Skenderaj, do të jetë i suksesshëm”, përfundoi ai.

Ndryshe, sipas Burimeve të Gazetës Blic në një degë të Skenderajt, më saktësisht në Klinë të Epërme ka ndodhur një përplasje fizike mes anëtarëve të PDK-së.