Flet ish-ushtarja e UÇK-së që u ftua nga Specialja, tregon në çfarë cilësie është thirrur

 

E ftuara e parë grua nga Gjykata Speciale, ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci, ka shkruar përmes Facebook-ut se në ftesën të cilën e ka marrë, nuk ceket se në çfarë cilësie është ftuar duke shtuar se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës në çfarëdo cilësie që të jetë thirrur, shkruan Gazeta Express.

Rreci ka thënë se në emailin por edhe përmes kërkesës që i është dërguar departamentit të shtetit në Amerikë nuk ceket kategoria dhe me këtë po merret Qeveria Amerikane.

“Ne email por edhe përmes kërkesës qe i është dërguar departamentit te shtetit këtu ne Amerike, realisht nuk ceket se ne çfarë kategorie dhe pwr kwtë janw duke u marre qeveria Amerikane me gjykatën speciale. Ne telefonatën qe kisha me zonjën Macgregor me date 04.12.2018 me tha se jam duke u cilësuar si dëshmitarë”, ka shkruar ajo.

Sipas Rrecit, ajo ka bërë një kërkesë që rasti të dërgohej përmes organeve zyrtare.

“Ishte kërkesa ime që rasti te dërgohej përmes organeve zyrtare kështu qe mbetet të presim për informata te mëtutjeshme. Nuk kam plane te mos i përgjigjem gjykatës pa marr parasysh se në çfarë cilësie. Nuk kam asgjë te fsheh, mbase deklaratat e mia nuk do ju pëlqejnë por unë do i përgjigjem. Mbetem krenare me luftën tone, ne nuk bëmë asgjë me shume se mbrojtëm pragun e derës”, përfundoi ish-ushtarja e UÇK-së.

Ndryshe, ajo ka bërë të ditur përmes Facebook-ut mbrëmë se ka marrë ftesën duke shkruar se emri i saj u është bashkuar listave që nga 5 dhjetori. /Express/