Për ikjen masive të kosovarëve nuk mbet kush pa folur, ndërsa mediat serbe së fundi kanë filluar t’i japin hapësirë kësaj teme duke zgjedhur me kujdes edhe ata që e analizojnë atë.
Normalisht, se Fatmir Sheholli, ish agjent i UDB-së jugosllave është zgjedhur nga një televizion serb që të analizojë ikjen e madhe të kosovarëve këtyre javëve të fundit.
Duke u prezantuar si analist nga Kosova, Sheholli ka thënë se ikjen e sheh te mos zbatimin e udhëzimeve të raportit të progresit të BE-së nga autoritetet në Kosovë.
“Mos zbatimi i këtyre udhëzimeve të këtij raporti ndërkombëtar i cili flet për situatën e rëndë në Kosovë sot si rezultat e ka largimin masiv të qytetarëve të Kosovës, prej të cilëve 99 % janë shqiptarë, ndërsa një përqind janë nga komuniteti RAE”, ka thënë Sheholli për RTV Puls, transmeton Indeksonline.
Ai e ka hedhur poshtë edhe mundësinë që përmes rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës të ndalohet kjo ikje masive.
Sheholli ka insistuar që ikja masive mund të kuptohet nga statistikat që gjenden në raportet ndërkombëtare të organizatave ndërkombëtare që flasin për rritjen e papunësisë dhe varfërisë ekstreme. /Indeksonline/