Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, , e ka cilësuar si të pamoralshëm ish-anëtarin e kësaj partie, Shyqiri Bytyqi, që në qeverinë e fundit, tash në largim, mban postin e ministrit të Arsimit.

Ai ka thënë se dorëheqja e Bytyqit nga Nisma, pas dorëheqjes së Qeverisë, tregon shumë për Bytyqin.

“Secili duhet të flasë me ndërgjegjen e vet. S’e di a do të jepte dorëheqje sikur të ishte qeveria edhe dy vjet tjera. Kjo pyetje do të thotë shumë. Pse ndodhi kjo pasi që dha dorëheqje qeveria. Çka nëse do të vazhdonte edhe dy vjet? Koha e dorëheqjes jep përgjigjen më të mirë. Akti i veprimit tregon më së miri. Po merren vendime tani, shkarkime bordesh”, ka thënë Limaj për Rubikon.

Limaj ka shtuar se në periudhën aktuale, Bytyqi nuk e përfaqëson këtë parti në qeveri.

“Ai nuk e përfaqëson Nismën në Qeveri. Është pa mbështetje. S’përfaqëson askënd aty. Ai sikur të kishte pak moral do të ofronte dorëheqjen nga posti i ministrit, pas largimit nga Nisma sepse atë post e ka marrë nga 45 mijë votues të Nismës. Po të largohet nga subjekti dhe është ministri që drejtohet nga ai subjekt, është dashur të mos shkojë më në zyre. Por ai përkundrazi po vazhdon të shkarkojë njerëz sipas qejfeve”, ka deklaruar më tej Limaj.