Erdoğan: Në eksport kemi arritur shifrën më të lartë në historinë e Turqisë

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se në eksport kanë arritur shifrën më të lartë në historinë e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi realizuar eksport vjetor prej 168.1 miliardë dollarë. Ky është eksporti më i lartë në historinë e Turqisë. Objektivi ynë ishte 170 miliardë dollarë, kështu që ishim shumë afër”, ka thënë Erdoğan gjatë një fjalimi të mbajtur për prezantimin e kandidatëve bashkiakë në qytetin e Izmirit.

Po ashtu në fjalën e tij Erdoğan tha se kanë shënuar një rritje me 4,5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2018, pavarësisht sulmeve që janë përballur në trekëndëshin e kursit të këmbimit, normat e interesit dhe inflacionit.

Gjatë fjalimit presidenti Erdoğan ka folur rreth projekteve të zhvilluara, që vazhdojnë dhe që do të zhvillohen gjatë qeverisjes së Partisë AK në qytetin e Izmirit. Ai ka përmendur se brenda këtij viti do të përfundojë autostrada Stamboll-Izmir nga ku udhëtimi nga 8 orë do të shkurtohet në 3.5 orë.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se në 10 muajt e parë të vitit 2018 është shënuar një rritje e punësimit me mbi 1 milion njerëz, Erdoğan tha se kanë rritur Turqinë me 3,5 herë duke mos harruar as qytetin e Izmirit ku janë bërë investime të shumta.

Erdoğan në qytetin e Izmirit ku më parë ka prezantuar si kandidat për kryebashkinë ish ministrin e Ekonomisë, Nihat Zeybekçi, ka prezantuar kryetarët e 25 rajoneve të Izmirit, në të cilët 5 prej tyre janë kandidate femra.