Erdoan: ISIS po shkatërron qytetërimin islam

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan ka kritikuar me një gjuhë të ashpër organizatën terroriste ISIS, e cila ka shkatërruar 8 mijë vepra historike në muzeun e Mosullit.
“Civilizimi ynë ka qenë dhe do të jetë i suksesshëm për të mbijetuar pavarësisht masakrimeve kulturore, tentativave për gjenocid”, tha Erdoan.
“Thuhet se në Bagdadin e kulturës abaside kanë ekzistuar 36 biblioteka. Fatkeqësisht, këto biblioteka u dogjën, u rrënuan dhe u shkatërruan të gjitha nga ushtritë mongole të drejtuara nga Hulagu Hani. Të njëjtën metodë po përdor sot edhe një organizatë terroriste me emrin ISIS, që vepron në Siri dhe Irak. Po punohet për të zhdukur çdo gjë që ekziston dhe ka të bëjë me qytetërimin, kulturën dhe rrënjët tona”, u shpreh Presidenti Erdoan.
“Vetëm se civilizimi ynë ka arritur të mbijetojë, dhe me leje të Zotit do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht këtyre masakrimeve kulturore, nismave shfarosëse dhe plagëve që ka marrë që në të kaluarën e deri më sot”, vijoi Erdoan duke theksuar se veprat antike përbëjnë një shpresë për të ardhmen, jo vetëm me vlerat artistike që kanë, por edhe me vlerat e qytetërimit që ato përfaqësojnë.
Presidenti Erdoan bëri përurimin e ekspozitës “Nga Fjala në Penë”, ku artdashësit do të kenë rastin të shikojnë për herë të parë një koleksion të përbërë nga 99 vepra artistike, si përshembull fermanë (dekrete sulltanore), pllaka, dorëshkrime të reja dhe të vjetra, të cilat përfaqësojnë edhe shembujt më të bukur të artit turko-islam.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 29 mars.