Përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale në ditët e sotme pa asnjë dyshim është kthyer në një domosdoshmëri, por sidomos të të rinjtë, jo vetëm kjo, por është bërë edhe mani jetësore.

Por ajo çka mbetet shqetësuese rreth internetit është përdorimi i tepërt i tij e sidomos tek fëmijët, gjë që kjo paraqet edhe rrezik në shëndetin dhe formimin e tyre si person.

Aksesi në video-lojëra të dhunshme, mundësia e të shikuarit fotot e filmimeve jo të përshtatshme për moshën, si përdorimi i  një fjalori jo qytetar, janë ndër rreziqet më të mëdha që mund të hasin fëmijët në faqe të ndryshme interneti.

E për këtë fenomen për SyriKosova kanë dhënë vlerësimet e tyre, sociolog, psikolog, por edhe prindër.

Sipas studiuesve social shqetësuese bëhet kur adoleshenti normalisht kalon shumë orë përpara kompjuterit për një numër të madh arsyesh.

E kjo edhe është një nga shqetësimet prindërore më të shfaqura kohëve të fundit.

Ilmi Polluzha, babai tre fëmijëve, thotë se kohën më të madhe fëmijët e tij e kalojnë në internet ani pse në moshë ende të vogël.

“E shoh shumë shqetësuese pasi fëmijët mund të shohin gjithçka dhe interneti është pa kufij, nuk po mund t’i kontrollojë askush, edhe në shkollë ju pengon, nuk kanë orar për mësim”, thotë Polluzha.

Sipas sociologut Ferdi Kamberi, përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale në përgjithësi nga fëmijët në mënyrë të pa kontrolluar mund të ketë disa pasoja serioze:

“Pasojat më të mëdha rreth varësisë prej rrjeteve sociale mund të jenë: ndryshimet në raportet shoqërore brenda dhe jashtë familjes, pasiviteti dhe mungesa e aktiviteteve fizike, problemet me obezitet sidomos duke qëndruar në një vend, miopia ose problemet me shikim si rezultat i qëndrimit të gjatë në rrjetet sociale, mungesa e performancës në shkollë, keqinformimi nga rrjetet sociale, mundësi e lartë që të bien pre e grupeve të kriminelëve dhe pedofilëve, etj”, shprehet Kamberi.

Sipas Kamberit, Kosova si shtet është e para për nga numri i përdoruesve të internetit në raport me numrin e banorëve, andaj konsideron se kontrolli duhet që gjithmonë të jetë i pranishëm.

“Duke marrë parasysh trendët e globalizmit që janë duke ndodhur anë e mbanë globit, si dhe faktin që Kosova si shtet është e para për nga numri i përdoruesve të internetit në raport me numrin e banorëve, konsiderojmë se duhet të ketë një kontroll social (monitorim) më të lartë nga prindërit. Se si e shfrytëzojnë fëmijët internetin. Për shkak se me një klikim fëmijët mund të hyjnë edhe në faqet pornografike të cilat janë të dëmshme për ta”, tha ai.

E të njëjtit mendim është edhe psikologia Rrezarta Sadiku, e cila pohon se kujdesi prindëror luan rol të madh në mospërdorimin e tepërt të rrjeteve sociale nga moshat e reja.

“Përdorimi i  internetit duket  se është bërë një nevojë e domosdoshme. Ajo çka është shqetësuese është përdorimi te fëmijët”, thotë Sadiku.
Sipas saj, ne jetojm në epokën e teknologjisë ku mundësitë janë të shumta por varshmëria dhe mënyra se si rriteni fëmijët janë shqetësuese dhe nuk po premtoj një zhvillim normal dhe të shëndetshëm nëse prindërit nuk fillojnë të marrin masa të duhura.
“Është shqetësuese fakti, së për të përmirësuar një sjellje të fëmijës kemi rastis ku prindërit me shumë kënaqësi i ka dhënë telefonin, kompjuterin, ndoshta me pamundësi të kohës mos durimin ose pa diturinë se si mundet me u qas”, thekson ajo.

Sipas psikologes pasojat janë të shumta dhe rreziku që të kenë probleme ne adoleshencë  janë të mëdha, andaj apelon tek prindërit për një kujdes të shtuar ndaj monitorimit të fëmijëve, kohën e lirë të mos e shfrytëzojnë në internet po në aktivitete nga më të ndryshmet,  në mënyrë që një fëmijë të rritet i shëndoshë. /SyriKosova