Edhe një lojtar i Zurichut mund të luajë për Kosovën

Dy prej lojtarëve kryesorë të Kosovës, Hekuran Kryeziu e Benjamin Kololli, janë pjesë e klubit të Superligës së Zvicrës, Zurich.

Te Zurichu aktivizohet edhe Mirlind Kryeziu, që pritet prej këtij muaji të paraqitet për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Por është një futbollist tjetër nga Kosova që i ka luajtur të gjitha ndeshjet e këtij edicioni në Superligë për Zurichun.

Loading...

Toni Domgjoni, mesfushori 20-vjeçar i lindur në Koprivnica të Kroacisë, ka startuar në 12 ndeshjet e deritashme kampionale të Zurichut. Ka kompletuar shumicën prej tyre dhe vlerësohet prej zbulimeve të mëdha të këtij fillim edicioni në klubin me nam të Zvicrës, shkruan sot Koha Ditore.

Është e hapur mundësia që Domgjoni të bashkohet me Kolollin dhe dy lojtarët me mbiemrin Kryeziu te Kosova. Në të vërtetë, ai ende nuk ka vendosur nëse do të përfaqësojë Kosovën apo Zvicrën në nivelin senior.

Thotë se do të mendojë mirë para se të marrë një vendim. Aktualisht është pjesë e U-21 të Zvicrës. Me lojtarët deri 21 vjet të Zvicrës prej 11 deri më 17 qershor do të qëndrojë në La Manga të Spanjës.