Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Nait Elshani dhe përfaqësuesit e OJQ “Eksodi 99”, Ali Topalli, kryetar, dhe Mustafë Kryeziu, nënkryetar. Në bisedë mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Naim Hajra.
Përfaqësuesit e “Eksodit 99” e njoftuan kryetarin Bahtiri me përgatitjet që po bëhen për shënimin e 16 vjetorit të dëbimit me dhunë të popullatës shqiptare  nga forcat kriminale serbe.
Përfaqësuesit e OJQ “Eksodi 99”, në veçanti e njoftuan kryetarin Bahtiri me idenë e tyre për të ndërtuar edhe në Mitrovicë një monument kushtuar kësaj ngjarje, duke thënë se qytetarët e Mitrovicës ishin ata që pësuan më së shumti gjatë përndjekjes që ju bënë atyre paramilitarët, ushtria dhe policia serbe më 15, 16 dhe 17 prill të vitit 1999.
Ata i prezantuan kryetarit Bahtiri një projekt ideor dhe i propozuan hapësirën për ndërtimin e monumentit, e që është afër Urës së gjakut, përkatësisht parkut “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, fillimisht e falënderoi kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit Elshani,  veprimtarin  Kryeziu dhe tërë popullin e Rahovecit dhe në veçanti atë të Xërxës për ndihmën që ju kanë ofruar qytetarëve të Mitrovicës gjatë ditëve më të vështira në jetën e tyre.
Po ashtu, kryetari Bahtiri i falënderoj drejtuesit e “Eksodit 99” edhe për punë ne madhe që po bëjnë për shënimin e përvjetorëve të eksodit, në mënyrë që të mos harrohen ato ditë të vështira për shqiptarët e Kosovës.
Sa i përket propozimit për ndërtimin e dhe të një monumenti kushtuar eksodit, pas atyre në Xërxë dhe Kukës, kryetari Bahtiri tha se e mbështet atë fuqishëm.
“Nuk kam dyshime fare sa i përket mbështetjes së idesë për një monument të këtillë edhe në Mitrovicë. Do e sigurojmë hapësirën e duhur, lejet dhe mjetet financiare për ndërtimin e tij. Mirëpo, unë kërkoj që monumenti të jetë dinjitoz dhe përzgjedhja të bëhet përmes një konkursi, ku do të merrnin pjesë ekspertët të njohur”, tha kryetari Bahtiri ndër të tjera.
No tags for this post.