E thotë edhe Presidenti Thaçi: UÇK-ja s’kishte më shumë se 15 mijë ushtarë

Presidenti Hashim Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur më shumë se 12 mijë deri në 15 mijë ushtarë, raporton Ekonomia Online.

Loading...

Kreu i shtetit ka bërë thirrje që të hetohen keqpërdorimet me listat e veteranëve, duke e quajtur këtë si mashtrim të madh që ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

Thaçi bëri deklaratat në konferencën rajonale të korrupsionit të organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Ai ka ftuar institucionet e drejtësisë që t’i ikin çdo ndikimi politik, duke përmendur rastin e veteranëve.

“Ftoj të gjithë që të jenë në krye të përgjegjësive institucionale dhe t’i ikin çdo pretendimi për ndikim politik të institucionet e drejtësisë”.

“Shembull eklatant është çështja e veteranëve. E vërteta është më se e qartë, s’ka pasur më shumë se 12 mijë apo 15 mijë ushtarë me uniformë. Të tjerat janë mashtrime. Këtij mashtrimi duhet t’i shkohet deri në fund, jo përmes kërcënimit”.

“Të arriturat e Kosovës në luftën kundër korrupsionit janë evidente”

Në konferencën dyditore, e cila ka për qëllim që të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në Europën Juglindore përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, presidenti i Kosovës tha se edhe Kosova si vendet e tjera përballet këtë dukuri.

Sipas tij, institucionet kanë bërë punë të mirë për të luftuar korrupsionin, por vlerësoi se duhet bërë më shumë punë.

“Korrupsioni nuk është çështje vetëm për Kosovën apo rajonin, ky fenomen është sfidë globale. Prania e korrupsionit është në të gjitha shtetet të zhvilluara apo në tranzicion siç është Kosova. Bashkëpunimi i shteteve është i domosdoshëm për arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit”.

“Shteti ligjor dhe qeveria efektive e ushqejnë rritjen ekonomike te një vendi dhe hap perspektivën për qytetarët. Kosova ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë. Por keni edhe sfida që lidhen me zbatimin e legjislacionit”.

“Të arriturat e Kosovës në luftën kundër korrupsionit janë evidente, janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit. Është rritur numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe është rritur buxheti”.

“Kosova vazhdimisht ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. E dimë se kjo luftë nuk është e lehtë por jemi te vendosur të ecim përpara. Nga diskutimet këtu pres t’i identifikoni sfidat rajonale të korrupsionit, prandaj mirëpres rekomandimet nga konferenca”.

“Të punojmë bashkë që Kosova të anëtarësohet në Interpol që të krijojmë kushtet edhe Kosovës që të ketë përgjegjësi plotë në Interpol. Anëtarësimi do të sillte dobi për Kosovën dhe rajonin. Me anëtarësim do të ishim të gjithë fitues, humbës do të ishin njerëzit e korrupsionit dhe krimit”.

Kjo konferencë do të zhvillojë punimet për dy ditë ku do të marrin pjesë drejtues të institucioneve relevante nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Turqia, përfaqësues nga organizatat të specializuara ndërqeveritare në nivel rajonal dhe më gjerë (UNDOC, OECD, UNDP), ekspertë ndërkombëtarë nga sfera e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore për rend dhe ligj, dhe të organizatave të shoqërisë civile.