Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci priti sot në takim Teuta Elshanin të bijën e shkrimtarit të njohur për fëmijë Ymer Elshani. Në takim u bisedua për manifestimin tradicional Sofra Poetike “Ymer Elshani” që mbahet çdo vit me këtë rast Teuta falenderoi Kryetarin Lladrovci për vazhdimin e mbajtjes së këtij manifestimi duke theksuar se ky manifestim nderon dhe respekton jo vetëm veprën e shkrimtarit por edhe mbarë familjen. Ajo shtoi se do ta japë kontributin e saj në vitet në vazhdim që ky manifestim të bëhet sa më madhështor.

Gjithashtu u bisedua për idenë e Teutës, që shtëpia e të madhit shkrimtar Ymer Elshani, të bëhet muze. Kati i parë të bëhet bibliotekë ndërsa kati i dytë muze meqë aty janë të gjitha orenditë ku ka shkruar shkrimtari Ymer Elshani. Siç theksoi ajo “shtëpia i mbijetoi luftës, por s’po mundet t’i mbijetojë kohës”

Nga ana tij kryetari Lladrovci falënderoi Teuta Elshanin për vizitën e saj dhe shtoi se jo vetëm komuna e Drenasit por edhe mbarë qytetarët e Drenasit, Kosovës dhe më gjerë e vlerësojnë kontributin dhe krijimtarinë e shkrimtarit dhënë letërsisë shqipe për fëmijë. Kryetari shtoi se edhe pse deshira e vullneti nuk mungon, janë kufizimet buxhetore ato që pamundesojnë realizimin e projekteve të dëshiruara.

Gjithashtu kryetari Lladrovci falënderoi Teuta Elshanin për vizitën që ajo ditë më parë i bëri bibliotekës së qytetit “Ymer Elshani” ku ka dhuruar mbi 25 libra të shkruar nga shkrimtari Ymer Elshani për këtë bibliotekë.

Ndërsa , Teuta Elshani shtoi se do të vazhdojë vizitën e bibliotekave në Komunën e Drenasit dhe do t’i pajisë ato me artikuj të librave të babait, Ymer Elshanit.

Image may contain: 1 person, sitting and standing