Dyshime për falsifikim të nënshkrimit të Agim Çekut, nga shuarja e komisionit aplikuan për pension mbi 16 mijë veteranë

16 mijë e 379 është numri i veteranëve që kanë aplikuar për marrjen e pensionit të veteranit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nga maji i vitit 2016 kohën kur edhe është mbyllur Komisioni për Verifikim të Statusit të Veteranit deri me 9 nëntor 2018.

Në Organizatën e Veteranëve të Luftës shtrojnë dilemën se me nënshkrim të kujt iu njoh statusi i rreth 16 mijë veteranëve, pasi që komisioni ka përfunduar punën në vitin 2016.

Loading...

Rritja e vazhdueshme e numrit të veteranëve që po aplikojnë për marrjen e pensionit pa formimin e asnjë komisioni që ua njeh statusin e tyre si veteran po cilësohet si falsifikim i certifikatave të veteranit të cilat janë lëshuar nga Komisioni për njohjen dhe verifikimin e statutit të veteranit para datës 20 maj të vitit 2016 me nënshkrim të Agim Çekut, shkruan arbresh.info

A është duke u falsifikuar nënshkrimi i Agim Çekut dhe data e lëshimit të vërtetimit tregon nënkryetari i OVL- UÇK, Nasim Haradinaj.

Ai shpreh dyshimet e tij se është duke u falsifikuar nënshkrimi i Agim Çekut dhe veteranët po marrin certifikata të reja edhe sot, por sipas tij me datë të 20 majit  2016.

“Për regjistrimin e veteranëve ka qenë një komision i themeluar nga qeveria e Kosovës. Neve përditë po na shtohet numri, se ka po dalin e ka po vijnë nuk e di. Mirëpo numri është duke u rritur. Certifikatat e reja për veteranë po lëshohen. Krejt çka lëshohen edhe ato që i marrin sot i lëshojnë me datën e atëherë-shist pra të 2016ës. E këta e kanë të fotokopjuar nënshkrimin e Agim Çekut dhe tash po lëshojnë të reja”, është deklaruar Nasim Haradinaj në një intervistë për portalin arbresh.info.

Portali arbresh.info ka shkuar në zyrat e OVL-së në degën e Prishtinës dhe ka parë se në dokumentet që i kanë sjellë disa veteranë javën e kaluar figurojnë datat që janë lëshuar në vitin 2016.

Shih në foto dokumentet që janë dorëzuar javën e kaluar në zyrat e OVL-së në Prishtinë në të cilët figuron nënshkrimi i Agim Çekut dhe data e nënshkrimit që është në vitin 2016.

Që nuk ka dhënë asnjë nënshkrim për veteranë pas majit 2016-të e vërteton edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, Agim Çeku.

Ai në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se prej datës 20 maj nuk ka asnjë lidhje me lëshimin e këtyre dokumenteve.

“Unë prej 20 majit 2016 nuk kam kurrfarë lidhje me këtë punë. Duhet ta pyesni zyrën për kategori të dala nga lufta. Nuk jam tu u marrë me këtë çështje”, ka thënë ai shkurt.

Dyshimet për falsifikim të certifikatës së veteranit ka ngritur edhe udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Syla.

I pyetur se a kanë dalë certifikata të nënshkruar nga zyra e tyre në lidhje me këtë rast ai ka thënë se kjo nuk është e vërtetë. Ai thotë se vetëm nëse janë falsifikuar.

“Jo nuk është e vërtetë. Prej zyrës tonë nuk ka dalë asnjë nënshkrim. Vetëm nëse janë duke i bërë fals se nuk ka komision”, ka deklaruar Syla.

Ai ka thënë se kanë qenë të paktë në numër ata veteranë që kanë kërkuar t’u rregullohen gabimet teknike apo ankesa të ndryshme.

E Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka treguar se nga 20 maji i vitit 2016, kohën kur edhe është mbyllur komisioni, kanë aplikuar për marrjen e pensionit 16 mijë e 379 veteranë deri me 9.11.2018.

“Janë 16,379 veteranë që kanë aplikuar për realizim të pensionit nga 20.05.2016 deri më 09.11.2018”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të kësaj qeverie.

Listat e veteranëve u frynë për mijëra persona me kalimin e viteve. Në vitin 2015, kur edhe filluan të ndaheshin këto pensione, përfitues kanë qenë 13 mijë e 442 veteranë.

Aktualisht benefite si veteran marrin rreth 37 mijë e 932 persona.

Ndërsa, prej vitit 2015, kur edhe filluan të ndaheshin këto pensione, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afër 182 milionë euro.

Për fryrje të listave të veteranëve, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit për verifikimin e pjesëmarrësve të Luftës së UÇK-së.

Ata akuzohen se kanë fryrë listën e veteranëve të UÇK-së deri në 19 mijë persona më shumë. Të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.