Dren Gashi i FC Drenicës senzacioni i Superligës

 

Luante për Ramiz Sadikun, por ishte tifoz i zjarrtë i FC Prishtinës. Gjatë verës “Plisit” iu realizua ëndrra, duke u transferuar në klubin e zemrës. Por, bardhekaltrit e huazuan në Drenicë. Përpos kuqezinjve, njëkohësisht po mundohet t’u ndihmojë edhe prishtinasve. Këtë mision e nisi me sukses. Goli i tij i dha fitore Drenicës dhe e mposhti Hajvalinë, rivalen e madhe të FC Prishtinës. Futbollisti që po bën sensacion, Dren Gashi, flet për “Zërin”
Është rritur në “Lindje” të stadiumit të kryeqytetit, në mesin e “Plisave”, duke brohoritur “Prishtina, Prishtina…”.
Përkrahjen për klubin e zemrës nuk e pushoi as kur vetë u bë futbollist i një ekipi tjetër. Luante për “Ramiz Sadikun” në Ligën e Parë, por “Plisave” nuk u mungonte thuajse asnjëherë. Për më tepër, e kishte themeluar vetë nëngrupin e “Plisave”, “Ultras 038”.
Fjala është për Dren Gashin, i cili gjatë verës që shkoi e realizoi ëndrrën, e cila e ka përcjellë gjatë gjithë jetës. Nga Ramiz Sadiku u transferua tek klubi i zemrës, FC Prishtina. Por, konkurrenca shumë e madhe në kryeqytet kishte bërë që drejtuesit e klubit ta bënin një zgjidhjeje të mirë për 21-vjeçarin. E huazuan në Drenicë, për gjashtë muajt në vazhdim, shkruan Zëri.
Por, edhe në Skenderaj Gashi shkoi si një “Plis” i vërtetë. Përkundër kësaj, në stadiumin “Bajram Aliu” gjeti pritje të ngrohtë, shkruan Zëri Dhe, këtë mirësi, Gashi ka nisur t’ua kthejë shpejt kuqezinjve. Qysh në ndeshjen e parë zyrtare me fanellën kuqezi, sulmuesi i ri realizoi gol, me të cilin Drenica e mposhti Hajvalinë të shtunën (1:0).
Gëzimi i Gashit ishte i shumëfishtë. Personalisht debutoi me gol, i dha fitore Drenicës, e po ashtu i ndihmoi FC Prishtinës, duke ia “gjunjëzuar” njërën prej rivaleve kryesore në luftën e saj për titull të kampionit, Hajvalinë.
“Së pari u gëzova që debutova me gol ndaj një ekipi që e synon titullin. I dhashë fitore Drenicës që më ka pritur shumë mirë e po ashtu i ndihmova FC Prishtinës në objektivat e saj, që dihen”, thotë Gashi në një bisedë me gazetën “Zëri”.
Goli i tij ndaj Hajvalisë solli festë tek “Plisat” në Prishtinë. “Unë edhe vetë ‘Plis’ jam, ndoshta nuk e di”, tregon me krenari Gashi, ende pa u pyetur. Për më tepër, thotë se “Plis” do të jetë deri në vdekje.
“Tani jam në Drenicë dhe e kam më vështirë për t’i përcjellë ndeshjet. Kemi ushtrime çdo ditë, orari i vështirë. Por, jam në kontakte të vazhdueshme me ‘Plisat”. “Ultras 038”, nëse keni dëgjuar për këtë, themelues jam unë”, theksoi Gashi.
Paralajmëron edhe rivalet e tjera të FC Prishtinës!
Drenica thotë se nuk e ka objektiv titullin e kampionit, edhe pse ka gjasa reale që ta ndjekë këtë trofe. Andaj, Dren Gashi mund të ndihet më i lirë, pasi nuk do të jetë në luftë për këtë trofe me skuadrën e zemrës së tij, FC Prishtinën. Por, thotë se do të mundohet të vazhdojë t’i ndihmojë ekipit bardhekaltër, duke e dhënë 100 përqindëshin për Drenicën, në ndeshjet me kandidatët e tjera për titull, siç janë Feronikeli, Trepça ’89 e Besa. Shpreson që gjithë këtyre t’ua bëjë njëjtë sikurse Hajvalisë, gjë që do të ishte e mirëseardhur për FC Prishtinën.  “Së pari dua t’i ndihmoj ekipit tim, Drenicës, që t’i arrijë objektivat e veta. Kjo do të shkojë si ndihmë ekstra për Prishtinën. Nëse Drenica nuk lufton për titull, sepse jemi me pikë mirë, atëherë pres që Prishtina ta fitojë titullin”, thekson ai.
Fakt
Dren Gashi tregon për Zërin se në Drenicë, ku është huazuar nga FC Prishtina, të gjithë e dinë se është anëtar i “Plisave”. Disa nga shokët e tij në Drenicë nganjëherë e thërrasin edhe me nofkën “Plis”. Andaj, i falënderon kuqezinjtë për mirëkuptimin dhe ngrohtësinë që ia kanë ofruar. /Zëri/DrenicaPress/