Drama e zhdukjes së 17-vjeçarit nga Ferizaj: Iku nga familja për të bashkëjetuar me një vajzë

Ka gjashtë ditë qëkur 17-vjeçari, E. Hysenaj, ka dalë nga shtëpia e tij në Ferizaj pa lënë asnjë gjurmë pas. Kjo ka qenë arsyeja që familja Hysenaj ta raportojë rastin në polici për zhdukjen e djali të tyre. Por, 17-vjeçari siç duket me vetëdëshirë ka dalë nga shtëpia e tij. Ai tash po bashkëjeton me një vajzë jashtë qytetit të Ferizajt, lidhje kjo për të cilën nuk po pajtohet familja Hysenaj. Policia e ka identifikuar vendndodhjen e të riut nga Ferizaj dhe ai tash gjendet shëndosh e mirë.

Loading...

Nëna e E. Hysenajt, 17 vjeç, nga komuna e Ferizajt, nuk po pajtohet me lidhjen e dashurisë që djali i saj e ka me një vajzë. Kjo siç duket ka qenë arsyeja që 17-vjeçari të dalë nga shtëpia pa i treguar askujt se ku gjendet.

Më 5 nëntor ai ka ikur nga shtëpia e tij në Ferizaj.

Nëna e E. Hysenajt e ka paraqitur në polici rastin për zhdukjen e djalit të saj duke thënë se nuk ia di vendndodhjen atij.

“Me 10.11.2018 ankuesja femër K/Shqiptare, ka informuar se djali i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti është duke u hetuar”, njoftoi policia, ditë më parë për këtë rast.

Por, pas gati 10 ditëve që ky i ri u zhduk, Policia e Kosovës i doli në gjurmë. Sipas të dhënave të Policisë ai u gjet shëndoshë e mirë.

Ai po bashkëjeton me një vajzë, lidhje kjo për të cilën familja e tij nuk ishin pajtuar.

17-vjeçari E. Hysenaj, gjendet në një banesë të cilën e ka marrë me qira dhe është jashtë qytetit të Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur majori nga Ferizaj, Basri Shabani.

“Mund t’ua konfirmoj se e kemi identifikuar vendndodhjen e personit në fjalë. Gjendja e tij është e mirë”, ka deklaruar Shabani duke thënë se rasti është mbyllur nga ana e Policisë.

Ndryshe, vetëm në dy vitet e fundit janë raportuar si të zhdukur më shumë se 100 persona. Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm për periudhën janar-prill të këtij viti, janë raportuar 56 persona të zhdukur.

Për secilin muaj gjatë kësaj periudhe nga familjarët janë raportuar 15 të zhdukur.

Numër të lartë të personave të zhdukur po del të ketë pasur edhe në periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar. Madje, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit numri i rasteve të zhdukjeve është ulur për rreth 20 raste.

Sipas statistikave të Policisë, gjatë vitit 2017, në vend janë raportuar 76 persona të zhdukur, disa prej të cilëve pas disa ditësh janë gjetur të vdekur. Ndërkohë, Prizreni, Istogu e Mitrovica janë qytetet në të cilat ndodhin më së shpeshti raste të tilla. /Gazeta Express