Dorëheqje në PDK

Pas 13 vite të angazhimit në Partinë Demokratike të Kosovës, kryetari i Nëndegës në Komoran të Drenasit, Muhamer Ibriqi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në kuadër të PDK-së.

Loading...

Dorëheqja në këtë kohë kur po bëhen përgatitje për të filluar zgjedhjet e brendshme në PDK, vjen si opsion i domosdoshëm për të reflektuar karshi gjithë padrejtësive që kanë ndodhur në parti.

Në letrën e dorëheqjes, Ibriqi liston një varg arsyesh që e kanë shtyrë të largohet nga partia, për të cilën thotë se u angazhua maksimalisht që të vinte në qeverisje.

“PDK, siç është bërë sot, e që ka filluar ndër vite, u shndërrua në parti të klaneve e grupeve të caktuara te interesit, duke bllokuar e ngulfatur çdo ide e aktivitet që nuk i shkon përshtati individëve të fortë në parti. Gjithçka po degradon me shpejtësi, aty nuk ka vend për njerëz meritor të dëshmuar në procese, duke instaluar një udhëheqje të tmerrshme nëpër degët e partisë në komuna dhe rrjedhimisht në udhëheqjen komunale. Nepotizmi, klientelizmi, jo meritokracia, servilizmi janë bërë dukuri normale. Tragjike kjo gjendje”, është shprehur ai.

Në këtë rast, Ibriqi shton se ndihet i zhgënjyer me mënyrën se si është trajtuar për këto vite ai vet dhe shumë shokë tjerë që në struktura të partisë janë dëshmuar me angazhim dhe punë profesionale.

“Kam udhëhequr për 5 vite, bashkë me aktivist e aktiviste, nëndegën me të madhe të PDK-s në Drenas, në fitore te njëpasnjëshme, në një teren mjaftë të vështirë politik. Sepse ta zëmë nëse në Terstetnik është deshtë me punu 50% për te fituar 70% të votave për partinë, në Komoran është deshtë me u angazhuar 100%, për të fituar 70% të votave. Pra një angazhim maksimal i dëshmuar me fitore”, ka thënë ai.

Sipas tij, anashkalimi në punësim, projekte dhe mos trajtim të barabartë brenda partisë edhe kanë quar në pakënaqësi të madhe brenda kryesisë së nëndegës.

“Janë avancuar individ brenda partisë qe nuk kanë asnjë meritë dhe as bagazh intelektual e profesional, vetëm sepse janë të afërt apo servil të të fortëve të partisë. Të tillët i kanë vendosur nëpër institucione qendrore e lokale dhe ata sot luajnë rolin kryesor në parti. Janë ngritur njerëz e individ që e kane sharë këtë parti e që janë identifikuar me krim e hajni. Por jo struktura profesionale e intelektuale. Pra, ne lëre që nuk jemi përkrahur, por edhe jemi luftuar e anashkaluar . Thjesht na e kanë thy motivin dhe ndjenjën për të vazhduar tutje”, ka shkruar Ibiriqi ndër të tjera në letrën e dorëheqjes./FaktePlus