Dorëheqja e Kelmendit legjitime, arsyeshmëria e pabazë dhe e padrejtë

Partia e Drejtësisë, vlerëson se vendimi i nënkryetarit Gëzim Kelmendi, për t’u larguar nga strukturat partiake është legjitim mirëpo njëkohësisht plotësisht i pabazë, i paargumentuar dhe i padrejtë në arsyeshmërinë e tij.
Është pikërisht ai që tradhtoi elektoratin e PD-së, duke vënë, në mënyrë të përsëritur në lojë vlerat kombëtare dhe shtetë-ndërtuese të programit të PD-së, dhe duke u bërë anëtarë i Kuvendit të Kosovës me votat e elektoratit të PD-së prej të cilit tash po largohet.
PD-ja në 15-vjetët e aktivitetit të saj, ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm dhe të pandalshëm në ndërtimin e shtetit të Kosovës, mbi platformën politike të mbështetur në vlerat e traditës së dëshmuar kombëtare, fetare dhe euro-atlantike të popullit të Kosovës. Në këtë aspekt, PD-ja, si parti parlamentare dhe pjesëmarrëse aktive në qeverisjen e vendit ka merita të theksuara, për ngritjen e vetëdijes intelektuale dhe theksimin e rëndësisë së vlerave etike dhe morale në proceset politike të ndërtimit të shtetit demokratik .
PD-ja vazhdon të mbetët parti stabile dhe e fuqishme që gjithmon do të gjejë mbështetje tek qytetarët e të gjitha komunave të vendit sepse përfaqëson vlerat e tyre autoktone, kombëtare, fetare dhe europiane. Këtë më së miri e dëshmon procesi i brendshëm zgjedhor i cili ka filluar muajn e kaluar gjatë të cilit janë mbajtur shtatë kuvende zgjedhore të degëve dhe i cili pritet të përfundojë në fund të muajit Maj për tu kurorëzuar me mbajtjen e Kuvendit Qendror të partisë.
Ata të cilët kanë vendosur që në këto ditë parazgjedhore të largohen nga Partia e Drejtësisë kanë vlerësuar me të drejtë se konceptet e tyre politike për reduktimin e PD-së në parti me agjendë ekskluzivisht fetare asnjëherë nuk do të kenë sukses. Largimi i tyre vetëm së do të fuqizojë aktivitetin politik të PD-së duke e liruar atë nga një barrë e rëndë dhe e panevojshme.
 Partia e Drejtësisë falënderon votuesit e saj besnik për mbështetjen të cilën në vazhdimësi ia kanë dhënë mbi bazën e urtisë, mençurisë, durimit dhe mirëkuptimit për sfidat e kohës në të cilat ajo ka vepruar, duke mos lejuar që në asnjë moment ta ndiejnë vetën të tradhtuar por përkundrazi të vlerësuar dhe pjesëmarrës aktiv në proceset më të rëndësishme politike të vendit.