“Djemtë e babës”, një sistem i drejtësisë që i nënshtrohet politikës (Video)

Ka raste që në Kosovë, njerëzit që bien ndesh me ligjin, amnistohen nga pushteti i baballarëve.

Loading...

Dy djemtë e Adem Grabovcit, Ngadhnjimi dhe Guximi, patën guxim ta sulmojnë një zyrtar policor në mesnatën  e 14 shkurtit të viti 2013.

Veturën e njërit prej djemve të Grabovcit, e kishte ndalë një patrullë policie për tejkalim shpejtësie, ndërsa e gjithë kjo kishte përfunduar me sulm ndaj pjesëtarit të policisë, deri në alivanosje, nga dy djemtë e asokohe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, raporton RTV Dukagjini.

Ky rast shkaktoi reagime të mëdha në opinionin publik.

Pas dy viteve në proces gjyqësor, vëllezërit Grabovci dënohen nga Gjykata Themelore në Prishtinë me një gjobë simbolike, prej 3 mijë eurosh për secilin nga vëllezërit.

Falë pushtetit të të atit, shkeljes së ligjit po i shpëton edhe Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se është ngritur kallëzim penal për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, për djalin e Shpend Maxhunit.

Në anën tjetër Policia e Kosovës përmes një sqarimi ka thënë se as arma e as lëndët narkotike, të gjetura nga policia në veturë, nuk janë të djalit të Shpend Maxhunit.

Krejt kjo ndodhi në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku në të njëjtën veturë ku gjendej Shpëtim Maxhuni bashkë me dy të tjerë, janë gjetur një revole e tipit “Zastava” me një karikator fishekë, një thikë dhe marihuanë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se “të fortit” janë të amnistuar nga sistemi i drejtësisë.

“Ne si IKD monitorojmë sistematikisht të gjitha rastet në sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe bazuar në gjetjet e vazhdueshme sistematike rezulton se “të fortit”, në këtë rast politikanët dhe zyrtarët e lartë shtetëror janë ata që amnistohen në tersi nga sistemi i drejtësisë. Kjo amnisti nuk i përfshinë vetëm politikanët dhe zyrtarët por edhe familjarët e tyre”.

Musliu përmend rastet me fëmijët e dy zyrtarëve të lartë, që sipas tij sistemi i drejtësisë po bën fiskultura për t’i amnistuar ata.

“Në këtë rast, del që shembull djemtë e Adem Grabovcit pothuajse për mënyrën e njëjtë të kryerjes së veprës penale janë dënuar me dënime simbolike, ndërsa qytetarët tjerë për vepra të njëjta janë dënuar shumë më ashpër. Njëjtë po ndodh edhe me rastin e dyshuar të djalit të Shpend Maxhunit, dëshmon për 1 milion fiskultura që bën sistemi i drejtësisë për t’i amnistuar në çfarëdo forme, apo për t’i bërë të paprekshëm politikanët dhe familjarët e tyre”, deklaroi Musliu, përcjell Telegrafi.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se kur kemi të bëjmë me fëmijët e pushtetarëve, organet e Drejtësisë po tregohen të buta me ta.

“Në përgjithësi kur kemi të bëjmë me raste të profilit të lartë, ose prindërit e të cilëve janë në pozita të larta shtetërore, atëherë edhe gjykatat por edhe prokuroria tregohen të butë ndaj tyre. E para është rasti me fëmijët e ish-deputetit Adem Grabovci, ku gjykata është treguar shumë e butë në dënimin e tyre, kanë qenë dënime shumë të lehta për ta”, deklaroi Spahija nga KDI.

Për rastin e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shkarkimin e Shpend Maxhunit nga pozita e shefit të AKI-së. /Telegrafi/