Diabeti, një “vizitë” te Dr. Ardiana në Prishtinë: pse vjen dhe si ta mbajmë larg

Bota shënoi Ditën e Diabetit, një sëmundje e cila çdo ditë e më shumë po kërcënon njerëzimin.

Loading...

Sipas disa të dhënave, në botë, të prekur me diabet janë mbi 425 milionë njerëz në moshë të rritur, një numër ky që pritet të rritet në 642 milionë.

Edhe në Kosovë ka rritje të sëmundjes së diabetit të tipit 2,, ku janë të regjistruar diku rreth 12000 pacientë, të cilët marrin insulina dhe barna të tjera anti-diabetike. 

Diabeti është një sëmundje e cila po nuk u trajtua me kohë, mund të çojë dhe në shumë sëmundje të tjera.

Për t’u njohur më shumë rreth kësaj sëmundjeje dhe trajtimit, mjekja kosovare i dr. Ardiana Perjuci-Begolli, interniste-endokrinologe, ofron “recetat” e saj shpjeguese, parandaluese dhe kuruese…

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Ardiana, a mund të tregoni çfarë është diabeti dhe sa është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut?

Diabeti është një çrregullim metabolik që karakterizohet me rritje të nivelit të sheqerit në gjak si pasojë e defektit të sekretimit ose veprimit të insulinës apo kombinimit të dyjave e që kjo çon në çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, proteinave, yndyrave dhe dëmtim gradual të gjitha indeve.

Cilat mosha janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje?

Diabeti është i përhapur në tërë botën dhe prekë të gjitha moshat dhe përafërsisht i prekë njëjtë të dy gjinitë. Ka tendencë të rritjes në mosha të reja si pasojë e stilit të jetës si pasojë e përdorimit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe jetës jo-aktive.

Cilat janë shenjat apo simptomat se njeriu është me diabet dhe cilat janë këshillat për këta persona që iu bëhet e ditur kjo sëmundje?

Simptomat janë urinimi i shpeshtë, etja, uria e vazhdueshme ose humbja e peshës. Nëse keni këto simptoma, këshilloheni të matni glikeminë esëll dhe dy orë pas buke. Nëse vlerat e glikemisë janë mbi 7 esëll dhe 11.1 dy orë pas buke, lajmërohuni te endokrinologu.

Sa qëndron që diabeti i patrajtuar me kohë mund të shkaktojë dëme të rënda te sytë dhe zemra e pacientit?

Diabeti është sëmundje cila kërkon disiplinë dhe menaxhim të mirë të glikemisë në mënyrë që të parandalohen komplikimet që mund të paraqiten pas disa viteve si retinopatia diabetike ose humbja graduale e të pamurit, që paraqitet diku 5 vite pas diagnostikimit me diabet. Mandej është nefropatia diabetike ose dëmtimi i veshkave, që është shkaktari më i shpeshtë që pacientët mund të përfundojnë në dializë e kjo zakonisht paraqitet diku 10 vite pas fillimit të diabetit dhe manifestohet me humbje të mëdha të albumineve në urinë. Tjetër është polineuropatia diabetike e cila nënkupton dëmtimin e sistemit nervor periferik dhe kryesisht i prekë gjymtyrët e poshtme. Është çrregullimi më i shpeshtë të cilin 7% të pacientëve e kanë në momentin e zbulimit të sëmundjes dhe 40% e zhvillojnë brenda 15-20 viteve. Komplikim tjetër janë edhe sëmundjet kardiovaskulare që janë edhe shkaktari më i shpeshtë i vdekjes. Faktor kryesor për sëmundje kardiovaskulare janë hipertensioni, yndyrat e larta që po ashtu kërkojnë menaxhim të mirë sikurse glikemia.

Të prekurit nga kjo sëmundje a kanë ndonjë mundësi shërimi, apo janë të detyruar që ta pranojnë dhe te jetojnë duke e mbajtur nën kontroll diabetin?

Diabeti nuk shërohet por trajtohet, prandaj pacientët me diabet duhet ta pranojnë këtë realitet dhe ta mbajnë në kontroll diabetin duke qenë të disiplinuar dhe të vizitojnë mjekun me rregull.

Çfarë duhet bërë për të kontrolluar ose parandaluar diabetin?

Së pari, për ta parandaluar diabetin preferohet që çdonjëri e sidomos ata me predisponim gjenetik, meqë një nga shkaktarët është edhe trashëgimia, ta reduktojnë peshën nëse janë mbipeshë ose obez, ta ndërrojnë stilin e jetës, pra të ushqehen shëndetshëm dhe të jenë më aktiv.

Që diabeti të jetë i mirë-kontrolluar preferohet që vlerat e glikemisë të mbahen në nivele të përafërta me ato normale, HbA1c të jetë më e vogël se 7%, yndyrat dhe tensioni të jenë në kufi normal. Pacientët që kanë diabet me vite preferohet të vizitojnë një herë në vit oftalmologun, kardiologun, neurologun dhe nefrologun.

Cilat ushqime janë më këshilluara për t’u konsumuar dhe cilat jo te një diabetik?

Dieta është një prej katër elementeve kryesore të trajtimit të diabetit. Ka rol shumë të rëndësishëm sidomos te pacientët me diabet tip 2 që kanë mbipeshë ose obezitet. Rënia e peshës përmirëson glikeminë, tensionin, yndyrat por nuk preferohet rënia e menjëhershme në peshë. Rekomandohen 5-6 shujta në ditë, 3 kryesore dhe 2-3 mes-shujta. Mund të konsumojnë çdo lloj ushqimi por duhet të kenë kujdes në sasi dhe kombinimet e ushqimeve. Shujta duhet të përmbajnë 50% karbohidrate, 30% lipide, 20% proteina. Në mes-shujtë preferohen frutat se kanë një sasi të mjaftueshme të sheqerit dhe e parandalojnë rënien e sheqerit në gjak, apo hipoglikemisë. Janë të pasura me vitamina, fibra, anti-oksidante. Por duhet pas kujdes në hurma, banane, fiq, rrush dhe shalqi sepse kanë më tepër sheqer. Preferohen të gjitha llojet e perimeve. Prej proteinave bimore përdorni fasule, thjerrëza, bizele, arra, bajame, etj. Sa i përket proteinave shtazore përdorni mishin e bardhë të pulës, peshqit, mishin e kuq dy herë në javë, prodhimet e qumështit që përmbajnë 1.5% yndyrë, etj.. Ndërsa prej yndyrave preferohen ato bimore, sidomos vaji i ullirit. Konsumoni sa ma shumë ushqime që përmbajnë fibra. Evitoni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe parapëlqeni ato të freskëta, të ziera apo të pjekura.

Dr. Ardiana, a kanë efekte anësore përdorimi i medikamenteve për diabetikët?

Po, si çdo medikament tjetër edhe këto kanë efekte anësore. Mirëpo, shumica e pacientëve nuk i përjetojnë dhe nuk detyrohen ta ndërprenë terapinë. Efektet anësore më të shpeshta janë: hipoglikemia, mundimi, vjellja, diarreja, gërça në barkë dhe në disa raste shtim të peshës.

Kjo sëmundje ndërkohë prek dhe fëmijët. Sa problematik është diabeti te moshat e vogla, si duhet trajtuar dhe a është i shërueshëm?

Është e vërtetë. Diabeti tip 1 dominon tek fëmijët por ndryshimi i mënyrës së jetës në ditët e sotme, siç janë ushqimet fast-food, konsumimi i lëngjeve të gazuara, qëndrimi i gjatë në lojëra joaktive në mobila ose kompjuterë dhe mos-qëndrimi në ambiente të jashtme ka ndikuar që të shohim më tepër fëmijë me mbipeshë e që kjo është shkaktari numër një i diabetit. Diabeti tek fëmijët mundet me qenë mjaft problematik për shkak të komplikimeve që mund të paraqiten në mosha të reja.

Çfarë e dallon diabetin e tipit 1 nga ai tip 2?

Diabeti tip 1 ose siç njihet edhe diabeti i moshave të reja shkaktohet si pasojë e shkatërrimit të beta qelizave të pankreasit që sekretojnë insulinë. Këtu kemi të bëjmë me mungesë absolute të insulinës dhe ky tip i diabetit mjekohet vetëm me insulinë. Ndërsa tek diabeti tip 2, pankreasi mund të prodhojë insulinë por jo në sasi të mjaftueshme ose insulina të cilën e prodhon pankreasi hasë në një rezistencë në inde. Më i shpeshtë është në moshën mbi 30 vjeçare por siç u tha më herët mund të paraqitet edhe në moshat më të reja për arsyet e cekura. Mjekohet me barëra perorale e në disa raste edhe me insulinë.

Çdo sëmundje ka koston e vetë edhe të sëmurët me diabet kanë një kosto pasi duhet të marrin vazhdimisht medikamente. Sa është kostoja vjetore dhe a duhet të përkrahen nga institucionet shëndetësore?

Si çdo sëmundje edhe diabeti e ka koston e vet. Kostoja vjetore varet nga preparatet që i përdorin. Sa më shumë të kenë komplikime, kostoja e mjekimit është më e lartë. Fatmirësisht, insulinat rimbursohen nga shteti.

Dr. Ardiana, a ka ndonjë studim apo metodë që do të bëjë të mundur shërimin e plotë të sëmundjes?

Sa i përket shërimit të plotë të diabetit, janë bërë studime në lidhje me transplantimin e qelizave staminale (stem cells) që kanë aftësinë e formimit dhe regjenerimit të qelizave identike në organizëm që kanë aftësi të prodhojnë insulinë ngjashëm si qelizat beta të pankreasit. Këto qeliza merren nga fetusi, kordoni umbilikal ose palca kockore. Mendohet se kjo metodë në të ardhmen do të përdoret për shërimin e diabetit por duhet të bëhen ende shumë studime. Një metodë tjetër që ka bërë revolucion për shërbim të diabetit është edhe transplantimi i ishujve të pankreasit, mirëpo fatkeqësisht një përqindje e vogël arrin që mos ta hedhin tranplantin edhe pse këta pacientë trajtohen me imuno-supresorë. Kjo procedurë është shumë e shtrenjtë dhe nuk ofrohet në rajon.

A ndikon pesha për ta fituar diabetin?

Po obeziteti është një ndër shkaktarët kryesor të diabetit tip 2. Fatkeqësisht, obeziteti dhe diabeti kanë një trend të rritjeve viteve të fundit dhe me miliona njerëz vuajnë nga diabeti si pasojë e obezitetit dhe mendohet se situata në të ardhmen do të përkeqësohet edhe më shumë.

Për fund një këshillë si mund të ruhemi nga sëmundja e diabetit?

Të qenurit i shëndetshëm është një zgjidhje, jo një dhuratë. Prandaj, përmirësoni stilin e jetës: mbani peshë normale, hani shëndetshëm dhe bëhuni aktiv. /tesheshi.com/