Largimi i Listës Serbe nga koalicioni ka bërë që në Kosovë të rikthehet tema e zgjedhjeve. Ditëve të fundit, sidomos nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shtuar zërat për një mocion të mundshëm për rrëzimin e qeverisë. Por, këto kërkesa po i duken joserioze Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci ka thënë për lajmi.net se LDK-ja nuk është serioze me kërkesën për rrëzimin e qeverisë.

Sipas saj, partia e Isa Mustafës po bën kalkulime për të parë situatën.

Nagavci thënë se nëse ka një kërkesë konkrete, Vetëvendosja do të mbledhet për të marrë një vendim zyrtar.

“LDK-ja nuk janë serioz në këtë drejtim, thjesht janë duke kalkuluar për të parë si po shkon situata. Vendimet sa i përket Lëvizjes nëse shohim se ka diçka serioze, atëherë mbledhet kryesia mblidhen organet tona dhe vendosim bashkërisht”, ka thënë Nagavci.

Përkundër se plotë 12 deputetë i janë larguar Vetëvendosjes, deputetja e kësaj partie po thotë se janë në një pozitë të favorshme për zgjedhje.

Ajo ka përmendur edhe zhvillimet e fundit, duke i quajtur si skenare të përgatitura.

Nagavci thotë se qeveria duhet të bie për shkak se nuk ka punuar dhe nuk i ka mbajtur premtimet.

“Jemi në një pozitë shumë të favorshme për zgjedhjet. Mirëpo situata e cila ka ndodhur në kohët e fundit tregon se ka shumë skenare prapa dhe kjo qeveri duhet të bjerë për shkak të mospunës, dhe mos mbjajtjes së premtimeve, e jo për shkak të këtyre skenareve”, ka thënë Nagavci.

I fundit që ka folur për mundësinë e rrëzimit të qeverisë ka qenë deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.

Beqiri gjatë ditës ka thënë për lajmi.net se LDK-ja do të mblidhet për ta shqytuar gjithë këtë situatë.

“Besoj se gjatë javës do të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndoshta menjëherë nuk do të vendosim, por gjithsesi do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme, që kur vlerësohet se është koha më e mirë për zgjedhje të reja. Mirëpo pa u vonuar shumë”, deklaroi Beqiri.

Pasi Lista Serbe u largua nga koalicioni, tani qeveria Haradinaj ka rreth 50 vota, e po cilësohet edhe si qeveri e pakicës. /Lajmi.net/

No tags for this post.