Denim arme

1 mijë e 800 aplikime për legalizim të armëve kanë shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme që nga fundi i vitit 2018 deri më sot. Por përkundër këtij numri aplikimeve që kanë kërkuar legalizim të armëve, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë edhe shumë në duar, raporton Gazeta Sinjali.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, për Gazetën Sinjali ka thënë se që nga koha kur është hapur fushata për legalizimin e armëve deri më sot kanë aplikuar rreth 1 mijë e 800 persona për legalizimin e armëve.

Zeka është shprehur i kënaqur me numrin e aplikimeve, ku sipas tij në Kosovë është një numër më i madh i qytetarëve që kanë shprehur gatishmërinë për t’i legalizuar armët.

“Për licencë të armëve kanë ardhur 1800 aplikime. Kjo është herë e parë që është vepruar në këtë format për legalizim të armëve dhe ne si ministri jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Krahasuar me vendet e Ballkanit që kanë pasur po ashtu vendim për legalizim të armëve gjatë viteve të kaluara, ne jemi shumë më mirë”, ka deklaruar Zeka për Gazetën Sinjali.

Më tutje zv/ministri ka thënë se sipas informatave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në duart e qytetarëve të Kosovës qarkullojnë edhe 150 mijë armë . Ndërkohë, duke cituar organizatat ndërkombëtare, thotë se në Kosovë janë edhe 200 mijë armë .

“Sipas disa organizatave ndërkombëtare thuhet se në Kosovë qarkullojnë diku mbi 200 mijë armë, mirëpo sipas informatave të ministrisë janë dikur afër 150 mijë armë pa leje”, ka deklaruar ai.

Për të gjithë qytetarët që kapen nga Policia e Kosovës me armë ilegale pritet të kenë dënime të rrepta. Parashihet që për 1 armë të dënohen deri me 3 vite burgim, ndërkohë për më shumë se 3 armë pritet të dënohen deri me 5 vite burgim.

“Dënimet për një armë janë deri në 5 vite burgim, për tri e më shumë armë janë deri në 10 vite burgim, ndërkohë dënimet me gjobë janë deri në 7 mijë e 500 euro”, ka deklaruar Zeka.

Në ndërkohë në vend vazhdojnë që shumë kosovarë të festojnë me armë. Ne sezonin e verës kur festat janë më prezentë Policia e Kosovës arreston pothuajse çdo ditë persona për armë mbajte pa leje.

Javë më parë në Prishtinë nga armët e zjarrit tre persona humben jetën në Prishtinë./Gazeta Sinjali/