Debat për bujqësinë në Drenas, ja çfarë u diskutua (FOTO)

Këtë javë, në ambientet e Restaurant M2000- Drenas, u mbajtë debati me temën: “Bujqësia si mundësi e zhvillimit ekonomik të Drenasit”.

Organizator i këtij debati ishte z.Genc Zariqi, (Magjister i Ekonomisë së Bujqësisë dhe Ushqimit), në bashkëpunim me Lëvizjen VETËVENDOSJE dhe studentë nga FBV-ja. Debati u moderua nga studentja e dalluar, ish udhëheqësja e KVRL-së, znj.Altina Nika. Ndërsa pjesëmarrës ishin: Z.Ahmeti, përfaqësuesi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Drenas, një numër i asambleistëve nga parti të ndryshme, (NISMA, Lëvizja VETËVENDOSJE, Vizioni për Drenasin, AAK-ja) dhe disa fermerë.

Loading...

Në këtë debat u tha se, Drenasi posedon me pasuri të shumta natyrore, klimë të favorshme, fuqi puntore dhe traditë në prodhimtarinë bujqësore, të cilat mund të konsiderohen bazë e fortë për të pasur bujqësi të zhvilluar, që do të ndikonte në përmirësimin e standardit jetësor dhe së bashku me aktivitete tjera alternative, do të bënin që edhe mirëqenia sociale të përmirësohet.

Duke mos përjashtuar problemet me të cilat ballafaqohen fermerët e Drenasit dhe qytetarët në përgjithësi, si dhe duke pasur për bazë resurset e disponueshme, z.Genc Zariqi potencoi se, rrugët për përmirësimin e gjendjes së bujqësisë në nivel lokal, nuk kalojnë vetëm përmes poltikave nacionale për bujqësi, sepse edhe në nivel lokal mund të ndërmarrim hapa konkret për përmirësimin e gjendjes në këtë sektor, prej të
cilëve mund të përmendim:

1. Fokusimi në prodhim të atyre produkteve që kanë profitabiltet më të madh (Adam Smith- Teoria e përparësive absolute), me fokus të veqantë në kulturat pemëtare dhe në sektorin e blegtorisë, ndërsa për nën-sektoret tjerë bujqësorë apo kulturat bujqësore të cilat nuk japin rezultate të kënaqshme, të furnizohemi nga komunat tjera apo edhe nga importi.

2. Krijimi i ekipeve mobile që do t’u dilnin në ndihmë fermerve në momente kritike, ndërsa punën kryesore do ta bënin gjatë fushatës së aplikimit për grante.
3. Shfrytëzimi i një pjese të shkollës së vjetër teknike, si shkollë bujqësore apo futjen e disa drejtimeve të karakterit bujqësorë (Agroekonomi, Prodhimtari bimore dhe Blegtori) në kuadër të ShMP “Fehmi Lladrovci”.
4. Diversifikimi i ekonomisë rurale: Përkrahja e industrive përpunuese dhe qendrave grumbulluese.

Kjo mund të bëhët përmes lehtësirave në pagesa apo mbështetjes direkte me subvencione nga komuna, për ato ndërmarrje që pjesën më të madhe të lëndës së parë e marrin nga fermerët lokal. Kjo poashtu mund të bëhët nëpërmjet bashkëpunimit publiko-privat, derisa të hudhën hapat e parë në këtë sektor.
Me këtë u pajtuan edhe të pranishmit, ndërsa z.Ahmeti nga Drejtoria e Bujqësisë, theksoi se mbështetja nga komuna po vazhdon dhe se do të bëjnë gjithçka që është e mundur, t’u dalin në ndihmë fermerve të Drenasit.

Fjalën e morën edhe asambleistët, Vehbi Berisha, Sokol Bylykbashi, Petrit Gashi e Burim Bujupi, fermerët, Valon Kuqica e Adem Doshlaku si dhe një banor i Drenasit, Mehmet Ahmeti.
Z. Bylgbashi: Për vitin e ardhshëm të kemi 100,000 euro subvencione, duke shfrytëzuar limitin në maksimum për subvencione nga granti qeveritar (të hyrat nga qeveria), duke i destinuar të hyrat vetanake për subvencione në bujqësi dhe duke kursyer nga kategoritë ekonomike të shpenzimeve.
Z. Berisha, theksoi nevojën për një përkrahje më të madhe nga komuna, për fermerët e Drenasit, sidomos në fazën e përgaditjes së biznes planeve dhe propozim projekteve.

Edhe asamblesitët, Gashi e Bujupi ishin në të njëjten linjë të mendimit, sepse nevoja për përkrahje është shumë më e madhe nga jo që është ofruar deri më tani. Z. Gashi vuri theksin të nevoja për trajnime profesionale për fermerët, përmirësimi dhe intensifikimin e tyre.
Konkluzionet dhe rekomandimet nga ky debat, do t’i dërgohen Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Drenasit.