Dallimet mes Thaçit e Haradinajt për korrigjimin e kufirit

Derisa presidenti i vendit Hashim Thaçi në manifestimin e përurimit të Memorialit të UÇK-së në Marinë ka përsëritur se “në kuadër të dialogut dhe të marrëveshjes për korrigjimin historik të kufijve parashihet edhe bashkimi i Preshevës, i Medvegjës dhe i Bujanocit në territorin e Kosovës”, kryeministri Haradinaj tha se “nuk mund të preket ajo që është arritur me gjak”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Loading...

Dallimet dhe mospajtimet në mes të presidentit të vendit Hashim Thaçit dhe kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe të Serbisë janë shfaqur edhe në Marinë në manifestimin, i cili është mbajtur në përurimin e Memorialit të UÇK-së.
Derisa presidenti i vendit Hashim Thaçi në manifestimin e përurimit të Memorialit të UÇK-së në Marinë ka përsëritur se “në kuadër të dialogut dhe marrëveshjes për korrigjimin historik të kufijve parashihet edhe bashkimi i Preshevës, i Medvegjës dhe i Bujanocit në territorin e Kosovës” kryeministri Haradinaj tha se “nuk mund të preket ajo që është mbërritur me gjak”.
Krerët e shtetit, Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, kanë konstatuar se ishte gjaku i dëshmorëve që vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Memoriali në Marinë është dëshmi e respektit institucional për ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën. “Te ky Memorial do të përkulen brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë për të përkujtuar se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia. Ky Memorial është dëshmi se askush nuk do të ketë forcë dhe argument për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK-së. Qindra e qindra dëshmorë u sakrifikuan në tokën e tyre për çlirimin e atdheut”, theksoi presidenti Thaçi. Ai ka ripërsëritur se Kosova është duke punuar në konsolidimin në rrafshin e brendshëm dhe në atë të jashtëm. “Po punojmë intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, presim në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm me miqtë tanë: SHBA-në, BE-në dhe NATO-n për shndërrimin e FSK-së në ushtri, në Forca të Armatosura të Kosovës. FAK-u dhe ushtarët tanë do ta ruajnë edhe kufirin Kosovë – Serbi. Në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore duke nënkuptuar njohjen reciproke, njohje nga 5 vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësim në NATO, në Bashkimin Evropian e në OKB dhe në kuadër të marrëveshjes për korrigjimin historik të kufijve parashihet edhe bashkimi i Preshevës, i Medvegjës dhe i Bujanocit në territorin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi, i cili ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës” 157 dëshmorët e rivarrosur në Memorialin e UÇK-së në Marinë.

Ndërkaq kryeparlamentari Kadri Veseli përkujtoi se UÇK-ja fitoren e parë në luftë e ka shënuar me komandantin Adem Jashari dhe me Abedin Rexhën. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka shënuar fitoren e parë në luftë me komandantin Adem Jashari dhe Abedin Rexha. Komandant ‘Kapuçi’, siç e kemi njohur në luftë, ka qenë hero i vërtetë dhe nuk ka pasur vend ku Mujë Krasniqi nuk ka qenë aty për t’i thënë jo kufijve mes shqiptarëve. Kjo edhe është arsyeja pse sot nuk kemi kufij mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Kudo që kanë jetuar shqiptarët kanë ardhur djem trima, nga Londra ka ardhur Indrit Cara, ka ardhur Ismet Jashari – ‘Kumanova’ e edhe sot ka djem të fortë të gatshëm për të luftuar prapë kundër Serbisë”, tha kryeparlamentari Veseli, i cili shtoi se “duhet të jemi më të bashkuar mes vete, duhet të punojmë më shumë të ecim përpara”. “Kuvendi po punon, ndërsa është çështje ditësh dhe shumë shpejt që do ta kemi ushtrinë tonë”, siguroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se populli i Kosovës u ka borxh shumë dëshmorëve të rënë për liri. “Lufta për liri është e shenjtë se populli ynë u ka për borxh shumë dëshmorëve të rënë për liri dhe se në borxhin e dëshmorëve hyn edhe ruajtja e territorit prej të gjithëve. Populli ynë i ka borxh shumë dëshmorëve, e borxh i kemi të gjithëve. Ne u kem borxh për ta forcuar lirinë, për ta forcuar shtetin, të forcohemi në ekonomi, ta ruajmë territorin e Kosovës dhe për ta bërë të paprekshëm prej askujt, qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund. Të gjithëve na pëlqen rritja jonë, por nuk mund të preket ajo që e kemi mbërritur me gjak. U kemi borxh dëshmorëve që ta ruajmë territorin e Kosovës”, tha mes tjerash kryeministri Haradinaj.

Në këtë manifestim kanë folur edhe dy kryetarët e komunave të Drenicës, Bekim Jashari (Skenderaj) dhe Ramiz Lladrovci (Drenas).

Pas përfundimit, me nderime të larta është bërë rivarrimi i mbetjeve mortore të dëshmorëve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi –“Kapuçi” dhe Abedin Rexha – “Sandokani”.