Daçiq për editorialin e Haradinajt: E ka shkruar dikush tjetër, lapsi nuk është arma e tij

Pas publikimit të shkrimit editorial në gazetën prestiogje amerikane “Washington Post”, nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Loading...

Duke komentuar editorialin e Kryeministrit, Daçiq ka thënë se “lapsi nuk është arma e tij” duke supozuar se dikush tjetër ia ka shkruar editorialin.

“Mbi të gjitha, më ka surprizuar fakti që ai shkrim është publikuar, pasi që lapsi nuk është arma që ai përdorë” ka thënë Daçiq, përcjell Ballkani.info.

Kryeministri Haradinaj në shkrimin e tij në Washington Post, kishte drejtuar një sërë akuzash ndaj Serbisë, duke theksuar gjithashtu se krerët e shtetit serb, me mbështetjen e Rusisë, po dëshirojnë që të bëjnë shkëmbim territorial mes Kosovës e Serbisë si kusht për ta njohur Pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, ka shkuar edhe më larg me akuzat e tij, duke thënë se Kryeministri i Kosovës me kalimin e kohës ‘është duke u zhytur thellë e më thellë’.

“Ai është njëri nga drejtuesit e UÇK-së dhe ka vrarë njerëz, tani është i lirë pasi që nuk ka dëshmitarë. Tani është duke krijuar situata të tilla për të arsyetuar veten, por me kalimin e kohës, sa më shumë qëndrime që ata do të shprehin, vetëm do të zhyten më thellë” ka thënë Daçiq.

Kujtojmë se këto reagime vijnë nga krerët e shtetit serb pas deklaratave të fundit nga zyrtarët kosovarë. Institucionet e Serbisë kanë kritikuar edhe takimin e dy qeverive shqiptare në Pejë ditë më parë, ku ishin prezent kabinetet qeveritare, Kryeministri i Kosovës dhe i Shqipërisë dhe Kryeparlamentari Veseli. /Ballkani.info/