Çka e frikëson Qeverinë – mocioni apo dështimi i liberalizimit?

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës për më gjatë se dy muaj po provon të mbledhë nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të dorëzuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Loading...

Por, LDK-ja, e mbështetur nga dy partitë tjera opozitare, ende është katër vota larg për mbledhjen e 61 nënshkrimeve të nevojshme për kalimin e mocionit.

Krahas mocionit, LDK-ja dhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po aplikojnë edhe formën e bojkotit në Kuvend, duke i pamundësuar Kuvendit funksionimin normal dhe vendimmarrjen, pasi që koalicioni qeverisës nuk përbën me shumicënnë Parlament.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, rrëzimi i Qeverisë është i domosdoshëm për shkak të, siç thuhet, keqqeverisje dhe procesit të dialogut me Serbinë për të cilin thotë se nuk po zhvillohen në mënyrën e duhur.

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, njëherësh deputet i kësaj partie politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita po bën përpjekje që sa më parë të procedojë mocionin e votëbesimit dhe po i vazhdon edhe bisedimet me disa deputetë të pozitës për të përkrahur këtë mocion.

“Po presim një lloj garancie që do të votohet nga ana e atyre 4 ose 5 deputetëve. Mund të jenë ndoshta edhe më shumë, sepse kontaktet janë me deputetë të subjekteve të caktuara. Unë po them edhe njëherë, nuk mund të them saktë se cilët janë apo cilit subjekt politik i takojnë, por ato vota po i kërkojmë dhe po i shohim si t’i sigurojmë nga partitë që janë partnere në koalicionin qeverisës”, thotë Beqiri.

Lidhja Demokratike e arsyeton insistimin e saj për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, me faktin se të tri institucionet kryesore të Kosovës, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, sipas saj, janë në krizë të funksionimit, por edhe për shkak të dialogut me Serbinë, të cilin kjo parti e kundërshton për mënyrën se si po zhvillohet.

Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se dialogu me Serbinë nuk e rrëzon këtë Qeveri, por mund të jetë çështja e liberalizimit të vizave dhe vendimi që pritet të merret gjatë muajit dhjetor nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Një dështim i mundshëm i këtij procesi, sipas Naim Rashitit nga Grupi i Ballkanit për Politika, do ta vinte në rrezik funksionimin e mëtutjeshëm të Qeverisë dhe koalicionit aktual.

“Nëse vetëm tema e dialogut lejon të përcaktojë rrëzimin e Qeverisë, të njëjtën situatë do ta kemi ditën që formohet qeveria e re. Aktorët mund t’i ndërrojnë vendet, por ballafaqimet, kundërshtimet do të jenë të njëjta. Nëse Qeveria bie, më shumë rrezikon të bjerë për çështjen e liberalizimit të vizave sesa për dialogun”.

“Kjo tema e dialogut është çështje shumë komplekse. Mirëpo, Qeveria, e cila vazhdimisht është zotuar se prioritet e ka liberalizimin e vizave dhe ka investuar shumë në këtë çështje, duhet të artikulohet mirë në momentin kur mund të njoftohemi se procesi i vizave nuk është në rrugë të mirë”, thekson vlerëson Rashiti.

Në anën tjetër, partia që udhëheq me Qeverinë aktuale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se tash për tash nuk ka gjasa të ketë zgjedhje të parakohshme për shkak të proceseve që janë në zhvillim e sipër, siç janë anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në INTERPOL, formimi i ushtrisë dhe vendimi për ose kundër që pritet të merret nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave.

​Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se veprimi i LDK-së për një rezolutë për dialogun dhe në të njëjtën kohë, angazhimet për mocion votëbesimi tregojnë se opozita nuk e ka përnjëmend kërkesën për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk ka situatë për zgjedhje të parakohshme pasi Qeveria është duke punuar, duke marrë vendime të rëndësishme për Kosovën. Kemi procese që duhet përmbyllen, siç janë liberalizimi vizave, anëtarësimi në INTERPOL dhe formimi i ushtrisë. Prandaj, nuk ka kohë për zgjedhje të parakohshme dhe nuk ka disponim as të partive, të cilat gjoja po i thërrasin zgjedhjet”.

“Opozita në momentin që i ka votat, normalisht që e bën mocionin dhe nuk e pyet askënd. Por, po ashtu edhe nëse proceset nuk ecin ashtu si duhet, kjo duhet shikuar pastaj pse po ka pengesa dhe pse po ka bllokim të proceseve. Por, momentalisht, unë konsideroj se Kosova është në rrugë të mbarë në përfundimin e këtyre proceseve që u përmendën”, thekson Isufi.

Ndërkohë, partitë në pushtet dhe ato në opozitë kohët e fundit i kanë shtuar aktivitetet e tyre partiake në terren. Momenti kur Kosova të marrë lajmin pozitiv apo negativ në lidhje me liberalizimin e vizave, po shihet edhe te disa subjekte politike si moment që mund të sjellë kthesë në mbijetesën, apo rënien e Qeverisë.

Po ashtu, në kohën kur opozita po provon të përdorë mekanizma parlamentar për rrëzimin e Qeverisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional për shkak të mosemërimit të anëtarëve të rinj nga presidenti Hashim Thaçi, që nga zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

Presidenti kishte dërguar në qershor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese interpretimin sa i përket çështjes së përfaqësimit të partive në KQZ. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim lidhur me këtë çështje.