Çfarë e ka zemëruar kaq shumë presidentin?

Nuk ka një çështje tjetër që po diskutohet më shumë këto orë në SHBA se fjalimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Kongresin amerikan.
Netanyahu fshikulloi ashpër politikën e presidentit amerikan, Barack Obama ndaj Iranit.
Ai tha se nëse miratohet një marrëveshje për programin bërthamor, kjo do i hapë rrugën Iranit për të pasur bombën bërthamore, në vend që ta pengojë këtë gjë.
Por Obama tha se Netanyahu nuk ofroi ndonjë alternativë të besueshme.
Të tjerë zyrtarë demokratë, si dhe Irani, e kanë kritikuar kryeministrin izraelit.
Vizita e këtij të fundit ka qenë kontroverse që në fillim, për shkak se spikeri republikan e ftoi atë pa konsultim me Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan tha se nuk do e takojë kryeministrin izraelit, i cili po përballet me një garë të ngushtë elektorale në vendin e tij.
Obama tha për fjalimin e tij se ai ishte i mërzitshëm dhe përsëritës.
Obama tha se sanksionet nuk janë të mjaftueshme, pa i ofruar Iranit një rrugë alternative.