Çfar po ndodhë me fatin e Dr.Hafir Shalës

Po bëhen tashmë 17 vjet që nga rrëmbimi i tij nga Shërbimi Sekret i Serbisë në Kosovë, ndërkohë që familja nuk ka asnjë informacion, ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë bërë as më të voglin hap për të zbardhur fatin e tij, nën arsyetimin se kjo është çështje politike, në të cilën janë të përziera strukturat më të larta shtetërore serbe dhe se ato(institucionet vendore) nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim. Në fakt, të qenit “çështje politike” nënkupton që institucionet/strukturat shtetërore të Kosovës do duhej të merreshin me të dhe jo e tërë barra t’i mbetet familjes, të paktën siç ka qenë deri më tash. Kjo, ngase Dr. Hafir Shala, gjatë tërë veprimtarisë së tij politike si veprimtar politik(ish i burgosur politik, ku ka vuajtur dënimin prej 5vjetësh në Lutogllavë dhe Stara- Gradishkë) dhe asaj(veprimtarisë) humanitare si doktor, asnjëherë nuk i ka takuar familjes, por popullit. Ai doli nga familja, por tërë jetën ia kushtoi popullit të Kosovës: ai ishte aty, sa herë që ishte nevoja. Rasti i Dr. Shalës nuk është privat/familjar, por rast publik/shtetëror; doktori nuk mund të kërkohet privatisht, siç mund të pretendohet, për faktin se ai nuk i ka takuar familjes, por Kosovës. Andaj, i takon shtetit të Kosovës që ta trajtojë këtë rast, ta hulumtojë dhe të japë përgjigje, përfundimisht. Për më tepër, Dr.Hafiri, siç edhe dihet, ndonëse nuk thuhet publikisht(për arsye sigurie) ka qenë mjeku i parë i UÇK-së, që nga fillet e krijimit të saj. Ai kishte “rastisur” të ishte mjeku kujdestar në dy-tri rastet, kur UÇK kishte sulmuar konvojet e ushtrisë serbe në Gllogovc, ndërkohë që ishte mjeku i vetëm që trajtoi të masakruarit dhe të plagosurit në Likoshan, më 28 shkurt 1998 dhe familjen Jashari, më 6-7 dhe 8 mars të vitit 1998, kur këto u sulmuan dhe u masakruan nga forcat militare dhe paramilitare serbe. Dr. Hafiri, siç rëndom e thërriste populli, punonte si doktor i Shoqatës Humanitare “Nëne Tereze” në fshatin Baicë, Krajkovë, të cilën e kishte hapur vetë, në Shtëpinë e Shendetit në Gllogovc derisa hynë masat e dhunshme dhe në të njëjtën kohë po e furnizonte UÇK-në me barna. Pjesën më të madhe të kohës po e kalonte me UÇK-në, gjë që bënte të mungonte shpesh në shtëpi, të shkonte herët dhe të kthehej netëve të vona, por që familja nuk po dinte asgjë, derisa një ditë, më 10 prill të vitit 1998, në shtëpinë e tij erdhi lajmi se ai ishte arrestuar nga policia serbe në Sllatinë, në orën 8:00 të mëngjesit, teksa po shkonte të merrte medikamente në Prishtinë për ta furnizuar UÇK-në. “Do shkoj vetëm edhe sot të marrë barna dhe pastaj do vijë këtu të jem me UÇK-në”, kishte thënë mes shoksh, një natë para se të rrëmbehej dhe të nesërmen më nuk u kthye. Një xhip i zi me xhama të blinduar e kish përcjellur automjetin në të cilin ishte ai, bashkë me dy të tjerë, Shaban Nezirin dhe Dr. Hetem Sinanin, që kur ishin nisur nga Gllogovci, për t’u ndalur më pas në Sllatinë: doktorin e kishin futur në automjetin e zi të blinduar, kurse Shabani dhe Hetemi kishin mbetur në automjetin e të parit, të shoqëruar nga një inspektor serb. Publikisht, dihet se Dr.Hafir Shala ishte arrestuar me urdhër nga strukturat e larta serbe nga ish inspektori shqiptar i ish Sekretariatit të Punëve të Brendshme(SPB) të Serbisë në Kosovë, Fadil Suleviq, i cili u inkuadrua në UÇK në vitin 1999, duke u ditur fakti, ndërsa pas luftës në Policinë e Kosovës, ku udhëheq njërin ndër departamentet më të rëndësishme, atë kundër Terrorizmit?! Suleviq kishte deklaruar se kishte qenë i urdhëruar “nga lart” që ta arrestojë dhe dorëzojë doktorin në ish SPB-në e atëhershme dhe aty ku përfunduar detyra e tij. Hetem Sinani dhe Shaban Neziri u liruan pas 6 orësh arresti, ndërsa doktori jo. Ata thonë se i kishin dëgjuar bertimat e doktorit, si pasojë e torturës së ushtruar ndaj tij; kishin pyetur ku ishte doktori, por i kishin thënë: “Shkoni ju se ai vjen më vonë”. Kur familja e kishte kërkuar pas dy ditësh, askush nga autoritetet e ish SPB-së nuk i kishte ofruar të dhëna; kishin thënë se nuk ka pasur ndonjë të arrestuar me këtë emër. I vetmi informacion që i ishte dhënë familjes ishte se po atë ditë, më 10 prill 1998, në Burgun e Prishtinës ishte regjistruar një person/i arrestuar me emrin: Hafize(Isuf) Shala, porse nuk dihej nëse ishte i njëjti person, meqë emri dhe gjinia i ishin ndërruar?! Ndërkohë, të vetmit që e kanë kërkuar në vazhdimësi doktorin kanë qenë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe familja e tij, si dhe avokati Destan Rukiqi, i cili ishte i ngarkuar me rastin, por vetëm për pak kohë. Inspektori i dytë, që ka qenë bashkë me Suleviqin ishte Hamdi Demiri, i cili është kthyer më pas në Serbi, bashkë me dy policët tjerë, për vendndodhjen e të cilëve nuk kanë informacion as autoritetet në Serbi. Vuajtjet, ankthi dhe kërkimet e familjes kanë vazhduar dhe ende vazhdojnë, ndërkohë që versione dhe histori të ndryshme kanë qarkulluar në ndërkohë, se gjoja doktori është parë i gjallë, se është në një burg sekret në Serbi dhe se është liruar apo thashëtheme si këto, por zyrtarisht nuk është dhënë asnjë informacion.
UNMIK-u me hetues të paaftë, EULEX-i i mbyllur
Pas mbarimit të luftës, misioni i OKB-së në Kosovë – UNMIK e mori përsipër hetimin e rastit të Dr.Hafir Shalës, por për 10 vjet rresht nuk arriti të nxjerrë gjë në dritë, me hetues të paaftë që ndrroheshin çdo gjashtë muaj dhe kur vinte tjetri gjithçka niste nga fillimi. Dhe kështu vazhdonte odisejada e pafund. Përgjigja e UNMIK-ut ishte: Kjo është çështje politike, në të cilën janë të përziera organet politike të Serbisë dhe UNMIK-u nuk ka qasje në të dhënat zyrtare. Kompetente ishin vetëm autoritetet e Serbisë dhe varej se sa do të ishin bashkëpunuese. Dhe sa ishin bashkëpunuese ato, kjo dihet tashmë! Pas UNMIK-ut, rasti kalon në duart e EULEX-it, i cili jep të njëjtën përgjigje, por që është i mbyllur hermetikisht sa i përket informacioneve. Nuk dihet se çfarë është duke bërë apo nëse po bën diçka. Familjarët, ndërkohë në tetor të vitit 2011 janë takuar në Beograd me z/kryeprokurorin e Serbisë për Krime Lufte, Bruno Vekariq dhe me Prokurorin e Serbisë për Krime Lufte në Kosovë, Dragoljub Stankoviq, të cilët tërë fajin dhe përgjegjësinë rreth rrëmbimit dhe zhdukjes së Doktor Hafirit ia lënë Fadil Suleviqit. Të lartpërmendurit thonë se rasti i Dr. Hafir Shalës është “sekret shtetëror” dhe “rast politik”; sipas tyre, i takon politikës dhe autoriteteve më të larta shtetërore serbe që të japin informacion mbi këtë rast, nën presionin e ndërkombëtarëve. Vekariq dhe Stankoviq deklarojnë se i vetmi person që mund të japë informacione është Fadil Suleviq dhe dy policët tjerë të Luginës së Preshevës, të cilët kanë ikur në Serbi. Suleviq, sipas tyre, e di se çfarë ka bërë me doktorin.
Përfundimi: Rasti i Dr. Hafir Shalës është politik dhe atë duhet ta zgjidh politika. Po përse nuk e ka zgjidhur deri më tani, pse nuk është zgjidhur gjatë bisedimeve që zhvilloheshin në Vjenë, Beograd e Prishtinë për të zhdukurit para pavarësisë dhe pas saj, dhe a pritet që fati i tij të dihet, pas bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel? Apo kur?
Familja e Dr. Hafir Shalës, nëna, gruaja dhe pesë fëmijët janë të indinjuar në vazhdimësi me institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur fatin e tij. Këtë herë, ndonëse tepër tepër vonë, pas 15 vjetësh, ka një iniciativë që rasti i doktorit të diskutohet publikisht, të shqyrtohet dhe të dihet më shumë për të, meqë deri më tani është heshtur, qëllimshëm apo jo, porse “dikush” është përkujdesur që emri i tij të mos përmendet askund, të mos futet në asnjë libër, dokumentar apo dikun tjetër, me një fjalë të fshihet krejt, e tërë kjo, sipas tyre që të mos dëmtohet rasti. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Kjo iniciativë, ndonëse e vonshme, është për t’u përshendetur. Familja ende nuk ka asnjë informacion zyrtar se dokori mund të jetë i vdekur dhe derisa nuk e ka një informacion të tillë, ajo(familja) nuk mund ta shpall të vdekur. Në këtë konkludim nuk ka ardhur as UNMIK-u. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të jenë këmbëngulëse, efikase dhe të punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të Doktor Hafir Shalës. Ai e meriton një trajtim të denjë, sepse ishte në shërbim të kombit, vendit dhe popullit të Kosovës, të cilit i shërbeu me tërë qenien e tij. Nëse askush tjetër, këtë e kërkojnë ish pacientët e tij, të cilëve u ndihmoi pa e kursyer as jetën./Infodirekt/