E ardhmja e Lorik Canës do të jetë futbolli, por jo thjesht si opinionist televiziv siç e kemi parë së fundmi, apo edhe si trajner, ndonëse po pajiset me licencat përkatëse nga FSHF.

Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare ka zbuluar se shumë shpejt do të bëhet drejtues sportiv në një klub, duke ruajtur misterin se për cilin bëhet fjalë.

“Kam një fondacion në Kosovë, ku jam themelues dhe president, punoj me të vegjlit. Merrem pak edhe me televizion, por brenda dy viteve do të filloj një karrierë si drejtues në botën e futbollit profesionist. Nuk dua absolutisht të largohem nga bota e futbollit, do të bëj gjëra të tjera nëpërmjet fondacionit dhe TV-së, por kam dëshirën që të provoj botën e drejtuesve. Ku? Jo në Shqipëri, por gjithsesi në Europë”, ishin fjalët e Canës për “Lalaziosiamonoi”.

Ndërkohë, ish-kapiteni ka folur edhe për Shqipërinë dhe zhvillimin e futbollit të saj pas Euro 2016.

“Futbolli shqiptar ka pasur një hov të madh falë rezultateve të fundit të kombëtares, flas për kualifikimin historik në Europianin e fundit.

Ishte një vitrinë e mirë e cila tregoi se ka lojtarë mjaft të mirë në një vend ku futbolli është sporti numër 1. Një krenari kombëtare jo vetëm nga pikëpamja futbollistike, një sukses që na ka lejuar të vendosim Shqipërinë në hartën botërore, kishte publicitet të madh për lojtarët.

Nga ana tjetër, është një vend që duhet të investojë ende shumë për futbollin: infrastruktura dhe kampionati lokal nuk janë ende në lartësinë e duhur, edhe pse ka pasur një përmirësim në vitet e fundit pasi kampioni i Shqipërisë ka shkuar në Ligën e Europës. Ka investime, por ka ende shumë punë për të bërë”, tha Cana.