Cahani: Bartësi ekonomik i vendit tonë duhet të jetë teknologjia informative (Video)

Drejtori ekzekutiv i Gjirafa, Mërgim Cahani, në një intervistë në emisionin “Përballje ditore” për Telegrafi.com ka folur projektet e kësaj kompanie për vitin 2019, si dhe potencialin që ka vendi ynë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Cahani ka thënë se Gjirafa është themeluar para gjashtë viteve dhe tashmë kjo kompani ka gjeneruar të hyra që lejon atë edhe të rritet në të ardhmen.

“Pra nga kjo kohë nuk kemi qenë asnjë ditë më pak rritje se 150 për qind. Këtë vit synojmë të kemi 100 për qind rritje, kjo për tregun tonë i bjer se do të dyfishojmë se diku 50 pozita të reja do të hapen në muajt në vijim, do ta rrisim kualitetin dhe gamën e produkteve dhe shërbimeve që i japim për konsumatorë. Përveç 50 pozitave, ne mendojmë se do të ketë ndikim indirekt shumë të madh në këtë industri edhe te kompanitë të tjera” ka thënë ai në një intervistë për Telegrafin.

Hapësira e Gjirafa.com | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Themeluesi i Gjirafa ka thënë se bashkëpunimi institucional dhe i komunitetit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit është në rritje.

“Po kuptohet me kohë se bartësi ekonomik i vendit tonë duhet të jetë teknologjia informative dhe këtu ka shumë mundësi. Ne duhet të fokusohemi në kualitet të vlerës sesa në kuantitet të prodhimit, kështu edhe institucionet publike dhe për këtë arsye është krijuar Ministria e Inovacionit, ka aktivitete dhe mbështetje të mira nga Qendra Kosovare e Ndërmarrsisë (ICK) që besoj se këto do të ndikojnë pozitivisht jo vetëm në rritjen e vetëdijes, por edhe inspirimi i të rinjve që të involvohen”, tha ai.

Hyrja e Gjirafa.com | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Sipas tij në Kosovë ka potencial në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit dhe mundësitë ekzistojnë.

“Kam besuar dhe besoj se ka potencial në Kosovë që të fokusohemi në këtë sektor, pra mundësitë ekzistojnë. Unë më shumë e shoh Kosovën që të krijoj produkt, i cili ka vlerë. Për shembull, një pjesë e Skype-it është krijuar në Estoni dhe për shkak të këtij, atëherë ekonomia e Estonisë ndryshoj, sepse i lejoj që edhe ekonomive të tjera të zhvillohen. Edhe në Shqipëri e Maqedoni kemi mundësi të krijojmë një produkt të till në rajon apo produkte globale. Unë nuk jam ithtar i shërbimeve outsource [puna nga jashtë], është mirë në afat të shkurtër për sa i përket financimit, por fokusi duhet të jetë afatgjatë dhe e vetmja mënyrë është krijimi i produkteve”, ka potencuar Cahani. /Telegrafi/