Borë dhe ngrica në Kosovë, Ministri i Infrastrukturës apelon për kujdes në komunikacion

 

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u është adresuar qytetarëve të Kosovës përmes Facebook-ut, pas reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta që po shënohen këto ditë në vend.

Ministri Lekaj ka kërkuar që kujdesi në komunikacion të jetë primar.

“Mirëmëngjesi Kosovë! Sot kemi një nga shumë ditët dimërore ku do të ketë reshje të borës dhe temperatura të ulëta (-3 deri në -10) thuajse gjatë gjithë ditës. Prandaj kujdesi në komunikacion duhet të jetë primar”, ka shkruar ministri.

Sipas tij, rrugët nacionale dhe regjionale në mbarë Kosovën janë të kalueshme, edhe përkundër reshjeve të pandërprera sidomos në rajonet malore dhe në rrugët që të dërgojnë për në pikat kufitare të vendit.

“Kompanitë e kontraktuara nën mbikëqyrjen e menaxherëve rajonalë, janë në punë dhe të angazhuar maksimalisht që të mos ketë bllokim të rrugëve. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin edhe të policisë por edhe të vetë pjesëmarrësve në komunikacion që të mundësojmë qarkullim të sigurt për të gjithë”, thuhet në apelin e Lekajt.
Ministri publikimit të tij ia ka bashkëngjitur edhe një video.