Bolton i thotë Rusisë të dalë nga Ukraina

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, porositi Rusinë që “të dalë” nga Krimeja dhe Ukraina lindore, si dhe “të ndalojë ndërhyrjen” në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se Uashingtoni mund t’i vendosë sanksione të reja Moskës.

“Do të jetë e dobishme nëse ndalojnë ndërhyrjen në zgjedhjet tona… dilni nga Krimeja dhe Donbasi në Ukrainë”, tha Bolton për agjencinë e lajmeve Reuters gjatë një vizite në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi.

Loading...

Ai gjithashtu i kërkoi Moskës “të ndalojë përdorimin e armëve të paligjshme kimike në përpjekje për të vrarë rusët në mërgim në Perëndim, si dhe të përzihet më pak në Lindjen e Mesme”.

Veprimet e tilla kanë bërë që Uashingtoni të vendosë sanksione ndaj Moskës në të kaluarën, tha Bolton.

Bolton, i cili këtë javë takoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, tha se Uashingtoni është në proces të vendosjes nëse do të ndërmarrë sanksione shtesë kundër Rusisë për helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij në Britani.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Moskën edhe për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë dhe për mbështetjen e separatistëve që luftojnë forcat qeveritare në Ukrainën lindore.