Bie numri i nxënësve në Kosovë, këto janë arsyet

Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, dalja jashtë Kosovës dhe rënia e natalitetit, ka ndikuar që shumë shkolla të komunave të Kosovës në viset rurale të mbesin më pak nxënës, madje disa prej tyre edhe të mbyllen. Numri i nxënësve që vijojnë mësimet në shkolla nëpër vende rural në tri vitet të fundit ka rënë.

Loading...

Këtë statistikë e konfirmon edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Numri i nxënësve që vijojnë mësimet në shkolla nëpër vende rurale në tri vitet e fundit ka shënuar rënie. Në disa prej komunave, ka shkolla të nivelit fillor dhe të mesme me pak nxënës e disa prej tyre edhe janë mbyllur.

E arsyet kryesore mbesin shpërnguljet e mëdha të popullatës prej vendeve rurale, rënia e natalitetit e migrimi jashtë vendit.

Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj për Indeksonline ka thënë se ka rënie në përgjithësi të numrit të nxënësve në Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta dhe Mesme të Larta.

“Të dhënat për numrin e nxënësve Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta dhe të Mesme të Larta i regjistrojnë në sistemin SMIA, 4 herë në vit. Nga analizat e raporteve vjetore rezulton se në përgjithësi ka rënie të numrit të nxënësve. Rënia e numrit të nxënësve në vendet rurale reflektohet me rritje të numrit të nxënësve në raport të njëjtë në vendet urbane (kjo lë të nënkuptohet se shkak është lëvizja e banimit fshat-qytet”, ka thënë Avdimetaj në një përgjigje për redaksinë.

Avdimetaj ka treguar se një paralele e ndarë e shkollave amë është mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

“Paralelet e ndara të shkollave amë kanë numër më të vogël të nxënësve dhe prej tyre vetëm një është mbyllur në bashkëpunim me prindërit dhe këshillin e shkollës duke siguruar një zgjidhje më të përshtatshme me qëllim ngritjen e cilësisë në arsim për nxënësit dhe sigurimin e transporit për ta në shkollën amë”, ka thënë mes të tjerash Avdimetaj.

Edhe Istogu këtë vit ka nxënës me pak në shkollat nëpër vendet rurale. Drejtori i DKA-së në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi për Indeksonline ka thënë se këtë vit ka rënie prej 274 nxënësve.

“Numri i nxënësve në shkolla këtë vit është 7 426 pra kemi rënie prej 274 nxënësve në të gjitha shkollat. Kemi disa shkolla më me pak nxënës, ndërsa asnjë shkollë nuk është mbyllur”, ka thënë Shoshi.

Ai ka theksuar se rënia e nxënësve në shkolla në vendet rurale është për shkak të migrimit si dhe të zhvendosjes në vendet urbane.

Ndërsa, gjendja më keq është në Komunën e Podujevës, ku për shkak të rënies së numrit të nxënësve, janë mbyllur pesë shkolla.

Nazmi Elezi, shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës ka thënë se në disa zona malore ka shkolla që janë me numër të vogël të nxënësve.

“Ka një rënie të lehtë të numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm në Komunën e Podujevës. Në komunën tonë kemi disa shkolla në zona malore që janë me numër të vogël të nxënësve, sidomos disa paralele të ndara të shkollave amë, ku vazhdon të ketë rënie të numrit të nxënësve nga viti në vit”, ka thënë në një përgjigje Nazmi Elezi.

Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve, disa paralele mund të mbyllën.

Edhe në Rahovec gjendja nuk qëndron mirë. Në bazë të statistikave për numrin e nxënësve, këtë vit në shkollat e kësaj komune ka 636 nxënës më pak të regjistruar.

Ndërsa, në Drenas ka klasë me vetëm nga dy nxënës.Drejtori i DKA-së, Tafil Halilaj për Indeksonline ka thënë se në vitin shkollor 2018/2019 janë 592 nxënës më pak.

Ndërsa, nga Komuna e Skenderajt thonë se ka numër të vogël të nxënësve, por jo edhe mbyllje të shkollave.

Gjendja e njëjtë konfirmohet edhe në Komunën e Mitrovicës, ku në një përgjigje nga Drejtoria e Arsimit thuhet se në përgjithësi ka rënie të numrit të nxënësve nga viti në vit.

Ndërsa, bëhet e ditur se ka shkolla me gjashtë, nëntë dhe 14 nxënës.

“Shkolla që janë mbyllur nuk kemi, mirëpo shkolla me numër të vogël të nxënësve kemi duke filluar nga 6 nxënës, pastaj 9 nxënës dhe 14 nxënës. Këto janë 3 shkollat e viseve rurale më të thella që e kanë numrin më të vogël të nxënësve në nivel komune. Rënia e numrit të nxënësve në viset rurale kryesisht është i lidhur me numrin e vogël të banorëve që jetojnë në këto vise, rënia e natalitetit dhe shpërnguljet në zonat urbane”, theksohet në përgjigjën e tyre.

Në anën tjetër, Blerim Thaçi, drejtor në Drejtorinë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës ka thënë se rënia e numrit të nxënësve me e theksuar është ne vendet rurale.

”Numri i nxënësve ka rënie të lehët nëpër shkollat tona, pak më e theksuar është në vendet rurale. Në komunën tonë nuk kemi shkolla që janë mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Për rënien e numrit të nxënësve janë shumë faktorë, po i përmendi disa: nataliteti, emigrimi jashtë vendit, lëvizja drejt qendrave urbane,(qendra më të mëdha)”, ka thënë shkurt ai për redaksinë./Indeksonline/.