Begolli thotë se Telekomi nuk do të falimentojë, synon kredi për përmirësim të teknikës

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, ka thënë se kompania që menaxhon nuk do të falimentojë, përkundër krizës në të cilën është përfshirë ajo.

Loading...

Begolli ka thënë se që prej emërimit nga kryeministri Ramush Haradinaj ka punuar në borxhet ndaj telekomit dhe uljen e qerave. Ai ka përmendur marrjen e një kredie për përmirësimin e teknikës së vjetruar.

“Kjo nuk është ide dhe për falimentim flitet tash e disa vite. Nuk dua të them se ka pasur keqmenaxhim dhe atë e dinë edhe punëtorët e Telekomit. Janë 2 mijë e 400 punëtorë, janë familje tona dhe është e rëndësishme që të reflektojmë dhe ta përmirësojmë gjendjen”, ka thënë Begolli në Interaktiv të KTV-së.

“Kemi garancion për të marrë një kredi, ajo pak na ndihmon që të kemi investime në teknikë pasi për një kohë të gjatë nuk ka pasur investime”, ka shtuar ai.

I pyetur për rastin e Telekomit me Z-Mobile, Begolli ka refuzuar të flasë pasi rasti është në proces gjyqësor, por ka thënë se kërkesat e kësaj kompanie janë plotësuar, duke përmendur një problem të jashtëm me SIM-kartela në Monaco.

“Z-Mobile e ka shkëputur kontratën në prill dhe bordi e ka pasur një të drejt deri më 30 qershor që të kthejë një përgjigje, ka qenë një letër që është votuar prej bordit. Sa i përket vonesave janë me disa SIM-kartela që i kanë kërkuar. Telekomi e ka bërë të pamundurën që të realizohen këto kërkesa. Kartelat merren nga Monaco dhe është hera e parë që ka pasur humbje në lidhje ndërkombëtare kur Telekomi është dashur t’i jap para Monacos. Kërkesa e tyre është përmbushur”, ka thënë Begolli.

“Ne jemi optimist se diçka do të ndodhë me Telekomin. Ne jemi duke ofruar marrëveshjen e 2009. E fundit është plotësuar me 50 mijë numra dhe në fillim të nëntorit bëhet brenda afateve ligjore, ka qenë një faktor i jashtëm”, ka thënë Begolli.

“Jemi në proces gjyqësor me Z-Mobile, nuk ka pasur seancë, kemi kontraktuar një avokat të jashtëm, pasi kemi të bëjmë me kompani dhe organizata të fuqishme që kanë infrastrukturë të fuqishme që nuk përkon me kapacitet tona. Çdo deklaratë e imja mund të përdoret në këtë proces gjyqësor. Nuk dua të lëshohem në komentim”, ka thënë ai.

I pyetur për vlerën e Telekomit, Begolli ka refuzuar të konfirmojë se vlera është 22 milionë euro, aq sa ka përmendur kryetarja e Bordit të Telekomit.

“Kryetarja e Bordit e ka cekur 22 milionë euro, por Telekomi ka burime të mëdha. Kemi rrjetin e shtrirë gjithandej dhe besoj se vlera e Telekomit është shumë e madhe. Janë bërë vlerësime më herët, por së fundmi nuk ka vlerësim”, ka thënë ai.