Tahir Batatina nuk është ndarë i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve të tij në duel me Drenicën (3-0), por fajtor kryesor për këtë disfatë tekniku llapjan mendon se janë pikërisht vendasit nga Skenderaj me lojën e tyre të ashpër që e aplikuan në këtë takim.

“Drenica e bëri diferencën me ashpërsinë e vet. Dy futbollistë na u lënduan për shkak të lojës së ashpër të futbollistëve të KF Drenicës në pjesën e parë të lojës. U detyruam ti largonim dy sulmuesit kryesor. Kur humbet dy futbollistët kryesor brenda një pjese është e vështirë për një skuadër dhe e vështirë ishte edhe për ne, megjithëse u munduam të reagonim në pjesën e dytë”, deklaroi Tahir Batatina për “Super Sport Kosova”.

Më tej tekniku i KF Llapit foli edhe për paraqitjen e dobët të skuadrës së tij në “Bajram Aliu”, teksa beson se ekipi do të këndellet në javët në vazhdim.

“Nuk është pritur një humbje kaq e thellë, por sidoqoftë është vetëm ndeshja e dytë e kampionatit dhe ka shumë kohë për ndeshjet në vazhdim që ne të rikuperohemi dhe të shohim gabimet ku duhet përmisohemi”, mbylli deklaratën e tij Batatina.

Llapi tashmë me katër gola të shënuar dhe katër të pranuar brenda dy javësh ka të grumbulluar tre pikë.

E vetmja gjë që mund të lëviz është pozita në klasifikim pas ndeshjeve të ditës së shtunë dhe të diel.