Babai i Avdijajt: FSHF-ja po na injoron

 

Sipas të gjitha gjasave, Donis Avdijaj nuk do të jetë në listën e trajnerit Xhani De Biazit as për ndeshjen e radhës ndaj Armenisë. Ndonëse listat për këtë takim do të bëhen gati dhe do t’u dërgohen lojtarëve në ditët në vijim, te familja e 18-vjeçarit janë të shqetësuar për indiferencën, sipas tyre, që po tregon Federata Shqiptare e Futbollit karshi Donisit.
“Katër muaj më parë e kemi pasur kontaktin e fundit me FSHF-në. Nuk po na japin përgjigje dhe s’po kuptojmë se pse po injorohemi nga Shqipëria”, ka thënë për gazetën “Olle” Xhemë Avdijaj. “Kemi presion edhe nga Gjermania, por duam që Donisi të luajë për Shqipërinë. Nuk e di se çdo të bëhet”, thotë ai. D
onis Avdijaj ka luajtur për grupmoshat e Gjermanisë U-16, U-17 dhe U-19, por së fundmi ai nuk është grumbulluar më nga gjermanët. Madje, lojtari nuk rezulton as në “orbitën” e Shpresave të Gjermanisë dhe kjo gjë duket se ka shtyrë atë dhe familjen që të afrohen te Shqipëria. Kujtojmë se në verën e 2014-ës, trajneri De Biazi pat kontaktuar babanë e futbollistit dhe, sipas deklaratave të vetë trajnerit, ky i fundit nuk kishte as refuzuar kuqezinjtë, por as pati deklaruar qartazi se do të luante për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, De Biazi e bëri të qartë se nuk do ta grumbullonte Avdijajn në Kombëtare nëse ai nuk do të luante me Shalken në Bundesligën e parë. Në muajin tetor, kur lojtari vërejti se kishte thuajse zero shanse që të luante te Shalke, si dhe duke parë atë çka ndodhi në Serbi-Shqipëri, i entuziazmuar, ai deklaroi se dëshironte të vishej kuqezi.
Sërish De Biazi nuk e grumbulloi, kjo pasi lojtari nuk figuronte as në pankinën e Shalkes. Në janar Avdijaj kaloi në formë huazimi te Shturm Grac në Austri, ku është aktivizuar dy ndeshje si zëvendësues dhe tanimë pretendon që të thirret edhe nga Kombëtarja shqiptare. Tashmë pritet vendimi i De Biazit, por natyrisht, shanset që lojtari të thirret ndaj Armenisë më 29 mars janë zero, pasi ai nuk ka pasaportë shqiptare dhe, sipas informacioneve në FSHF, nuk ka nisur asnjë procedurë për pajisjen e 18-vjeçarit me nënshtetësi shqiptare.