Babai i 26-vjeçares që u vra nga burri në Skenderaj, në ankth për vajzën tjetër

Të enjten e 8 dhjetorit, një vrasje kishte tronditur në qytetin e Skenderajt. Në fshatin malor të kësaj komune, Radishevë, Xhevdet Tahiri kishte vrarë me pushkë bashkëshorten e tij, 26 vjeçe, Feriden, në sy të familjes së tij. Por ai nuk e kishte lënë me kaq. Aktin e tij e kishte vazhduar edhe në fshatin fqinj, Runikë, ku kishte lënë të plagosur rëndë, baxhanakun e tij, Dritonin, dhe gruan e tij, Fitoren. Këta dy të fundit, sipas familjarëve, gjenden në koma në QKUK. Dorasi në anën tjetër e ka pranuar aktin dhe tash gjendet në paraburgim. Gazeta Express ka qëndruar në këto dy fshatra, dhe ka biseduar me familjarët e viktimave.

Agim Prokshi nga Runiku i Skenderajt, ende nuk i di arsyet përse dhëndri i tij shtiu mbi dy vajzat e tij, të enjten e 8 dhjetorit.

Tash e tri ditë, ai ka hapur të pame në shtëpinë e tij, për vajzën 26-vjeçare, Feride Tahirin, ndërsa po pret në ankth ndonjë lajm të mirë, për vajzën tjetër të tij, Fitoren, e cila bashkë me bashkëshortin e saj Dritonin, janë të shtruar në Qendrën Intensive të QKUK, në gjendje të rëndë shëndetësore. Edhe këta dy të qëlluar me pushkë nga Tahiri.

Natën tragjike, Xhevdet Tahiri kishe shtënë me pushkë mbi gruan e tij, Feriden në shtëpinë e tij në Radishevë, për shkaqe ende të panjohura. Ajo kishte mbetur e vdekur në vend, duke mos u mbijetuar plagëve të marra. Me të kryer aktin, ai kishe vazhduar në fshatin fqinjë Runikë, rreth 5 kilometra larg, për të shtënë edhe mbi baxhanakun dhe gruan e tij, duke i lënë të plagosur rëndë në rrugë.

Familja Prokshi thonë se çifti nuk ka pasur probleme me njëri-tjetrin, dhe se nuk i dinë arsyet që çuan dhëndrin t’ia vrasë të bijën.

“Nuk e dimë çka ka ndodh, me më pre e me më gri, unë nuk di. Kurrë nuk u anku. Shumë e re, veç 26 vjeç i ka pas, 3 fëmijë i ka lënë të vogël sa troha. Ky është krim, me vra automat gruan e me i tranu fëmijën. Fëmijën e vogël ka qenë duke e ushqyer me gji”, ka thënë babai i tashmë të ndjerës Feridës.

Në media kanë qarkulluar lajme se e gjithë ngjarja tragjike ka ndodhur për një telefon, që e ndjera Feride Tahiri e ka përdorur “pa dijeninë e burrit”, e që thuhet se i ishte dhuruar nga e motra. Por, kjo është hedhur poshtë kategorikisht nga babai i viktimës.

“Në lajme të mbrëmjes e kam pa lajmin, na kemi pas marrëdhënie të mira me ta, gjë të keqe s’kemi pas, miq kemi qenë mes vete. Ne nuk e dimë se si ka ndodhur ngjarja, se s’kemi qenë aty, ata jetojnë në Radishevë, po në shtëpi të tyre ka ndodhë ngjarja, aty kanë qenë krejt familja e tij, ata le të tregojnë”, rrëfen Agim Prokshi.

Ndërkohë, një familjar tjetër gjatë bashkëbisedimit me ekipin e Gazetës Express ka thënë se ia kanë lënë në dorë Policisë për ta zgjidhur rastin, ndryshe do të bëhet siç e thotë Kanuni.

“Jonë do sene tjera motër, vijnë lypin besë ata, Policia e ka çështjen po edhe Kanuni qysh e thotë”, ka thënë familjari.

Ndërkaq, përballë shtëpisë së babait të Ferides, pak metra më larg, është shtëpia e vajzës tjetër të tij, Fitores, të cilën Xhevdeti e la të plagosur bashkë me bashkëshortin e saj.

Plagosja e tyre ka ndodhur në rrugë, pak metra më poshtë shtëpisë së tyre, rreth gjysmë orë pas ngjarjes në Radishevë.

Gazeta Express ka qëndruar edhe në oborrin e shtëpisë së çiftit.

Dy motrat e Dritonit dhe vëllai i tij, kanë shpjeguar për Express se si ka ndodhur ngjarja në orën 17:00 të mbrëmjes, por kategorikisht kanë kundërshtuar të flasin për shkaqet, duke thënë se as vetë nuk i dinë.

Sipas tyre, ata kanë lajmëruar se do të dilnin për të blerë diçka, duke lënë fëmijët e tyre brenda në shtëpi. Pasi kishin dalë në rrugë, pak metra më larg, ishte shfaqur Xhevdeti, i cili besohet t’i ketë lënë të plagosur që të dy në rrugë. Një qytetar thuhet t’i ketë marrë të dy në furgonin e tij, për t’i dërguar në spitalin e Skenderajt.

“Në shtëpi të vet kanë qenë, kanë dalë bashkë me ble harxh për shtëpi, vëllai më pas ka pas me shku në punë, ka punu në Mitrovicë në Kasino, rrugës teposhtë ka ndodhë ngjarja. Ai ka thënë po shkoj pe marrim do harxh, tani me shku për punë, u dal i ka ra, çka ka ndodhë ne nuk e dimë”, ka thënë shkurt motra e tij.

Familjarët e të plagosurve thonë se nuk i kanë dëgjuar të shtënat, ndonëse ato ndodhën shumë afër shtëpisë së tyre.

Ata kanë folur edhe për gjendjen shëndetësore të Dritonit dhe të Fitores 28 vjeçe, prindër të tre fëmijëve.

“Ne përditë jemi në spital te ta, po ata nuk flasin, janë pa vetëdije, janë të shtruar në intensivë, mjekët nuk po na lënë me hy me i pa”.

“Ne s’kemi pasë probleme, vëllai jonë ka qenë i urtë, mos me pasë qenë nuk ish konë sot i plagosur”, ka përfunduar komunikimin me Express motra e Dritonit.

Dorasi Xhevdet Tahiri, tashmë, është në paraburgim dhe sipas raportimeve të medieve, ai tashmë e ka pranuar se e ka kryer aktin.

Ndërkohë e kontaktuar nga Gazeta Express, prokurorja e rastit, Zejnije Kela, nuk ka pranuar të flasë për shkaqet që çuan deri te kjo vrasje, duke thënë se rasti është ende nën hetime.

Sipas Policisë, gjatë 2017-ës janë kryer 24 vrasje në Kosovë. Në 4 prej këtyre rasteve, viktima janë femrat, gra të cilat u ekzekutuan nga burrat e tyre.

“Gjatë këtij viti numri i vrasjeve, ku viktimat kanë qenë të gjinisë femërore janë: 4 raste (raste të përgjithshme të vrasjeve janë 24 raste janar – nëntor 2017)”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, shkaktarët e vërtetë të vrasjeve mund të dalin vetëm pasi të kryhen procedurat ligjore.

Ndërkohë, gjatë nëntëmujorit (janar-shtator) të këtij viti, Policia ka iniciuar 951 raste të dhunës në familje në tërë Kosovën. /Gazeta Express